Departamenti i Administratës Publike (DAP) pret të finalizojë këtë vit reformën në e pagave të cilat, do të rriten në bazë të disa kritereve të reja, që kanë të bëjnë me rezultatet në punë, trajnimet etj.
Me mbështetjen e projektit IPA 2014 “Zbatimi i reformës së shërbimit civil në administratën publike” synon zbatimin e reformës së pagave.
Reforma përmban dy nënrregullime sa i takon strukturës së re të pagave në administratën publike, së pari zbatimin e strukturës së re të pagave sipas legjislacionit të shërbimit civil dhe së dyti vendosjen e standardeve që do të shërbejnë si udhërrëfyes për përcaktimin e pagave për të gjithë administratën publike, duke mbajtur në konsideratë parimin “pagë e njëjtë për punë të njëjtë” si dhe shpërblimin e drejtë për përgjegjësinë dhe impaktin që jep puna e gjithësecilit në realizimin e funksioneve dhe detyrave të institucionit.
DAP njofton se, dokumenti i reformës së pagave pritet të finalizohet gjatë vitit 2020, dhe më pas DAP-i në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë do të fillojë llogaritjen e implikimeve të buxhetit për këtë reformë me qëllim zbatimin e plotë të saj.
Organizimi i ri sistemit të pagave në shërbimin civil, do të bazohet në vlerësimin e vendit të punës, të arritjeve vjetore të nëpunësve civilë dhe rezultateve në trajnimet e detyrueshme.
DAP thekson se reforma e pagave mbetet një sfidë, pasi nevojitet një transformim i strukturës aktuale të pagave bazuar në përformancë.
SIGMA, njësia e OECD-së për suportin dhe përmirësimin e qeverisjes vlerësoi me tre 3 pikë indikatorin e pagave në administratë me një rënie në raport me vitin 2015, duke nënvizuar faktin që vlerësimi “promovimi vertikal dhe rritja e pagave mbeten të vetmet mënyra për të përmirësuar kushtet e pagave” dhe ndryshimet e bëra në legjislacionin shqiptar ende nuk po sigurojnë një sistem koherent të pagave. Sa i takon vitit 2019, nuk ka një vlerësim të këtij indikatori nga SIGMA, megjithatë pritet që realizimi i reformimit të sistemit të pagave të adresojë rekomandimet e vlerësimit të fundit të SIGMA.
Gjithashtu nuk ka ndryshuar që nga viti 2017, indikatori që paraqet raportin e pagës maksimale në administratën publike (paga e Presidentit të Republikës së Shqipërisë) me pagën minimale në administratën publike.
Ky indikator nuk ka ndryshim krahasimisht me vitin 2017 pasi paga e Presidentit duhet të jetë 22 herë më e lartë se paga minimale në vend. Kështu me rritjen e pagës së Presidentit rriten në mënyrë automatike edhe pagat minimale në administratë, por paga e kreut të shtetit nuk është rritur që prej tre vjetësh./Monitor