Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç deklaroi se zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit do të jenë vendimtare për ruajtjen e pavarësisë së Malit të Zi.
Kreu i shtetit malazez tha se po zhvillohet një “luftë mediatike dhe politike” kundër tij dhe partisë së tij Demokratike të Socialistëve (DPS), për ta vënë Malin e Zi “nën ombrellën e Beogradit dhe të Moskës” dhe për ta penguar atë nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Ndër të tjera presidenti theksoi se DPS nuk do të lejojë që “ideologjia e errët e mesjetës” të mbizotërojë në zgjedhje.
Me këtë, ai iu referua Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, e cila ka udhëhequr një seri protestash kundër qeverisë së tij. Në zgjedhje, partia në pushtet e Malit të Zi, DPS, do të sfidohet nga një grup pro-serb dhe një aleancë tjetër opozitare që e akuzon Gjukanoviçin dhe qeverinë e tij për korrupsion të përhapur.