Edy Reja dha mesazhin e qartë për Eros Grezdën: Të kërkojë falje dhe të kthehet në Kombëtare. Talenti i tij nuk vihet në diskutim as nga trajneri i kuqezinjve, i cili pranoi se me një sjellje tjetër, ai do të ishte përsëri pjesë e kuqezinjve për të dhënë kontributin për skuadrën.
Një tjetër provë e këtij talenti erdhi sot, në ndeshjen e Osijek ndaj Dinamos së Zagrebit, kur Grezda tundi rrjetën për skuadrën e tij. Në fillimin e pjesës së dytë të sfidës, me rezultatin 1-0 për Dinamon vendase, Grezda leshoi një gjuajtje të pakapshme për portierin kundërshtar, duke dërguar sferën pas krahëve të tij e barazuar shifrat.
Një gol i rëndësishëm për futbollistin që vazhdon të monitorohet me shumë interes nga stafi i Kombëtares, siç e pranoi vetë Reja, edhe për faktin se më në fund bëhet protagonist brenda katërkëndorit me skuadrën e tij.
Gjithsesi, ky gol vlen shumë në aspektin personal dhe një mesazh I qartë se Grezda ka vlera. Megjithatë, Grezda së pari duhet të flaës me trajnerin dhe FSHF, ndoshta edhe një ndjesë publike, pastaj mund të rifitojë fanellën kuqezi.