MENU
klinika

Ose... historia e bankierit fizikan Emiliano Papa

Historia e një prej individualiteteve më të shquara të botës shqiptare

23.08.2020 - 06:45

Nga Ben Andoni

Po ju propozojmë një histori të jashtëzakonshme që ka elemente të ngjashme me atë të filmit “A Beautiful Mind”, shkruar nga gazetari i shkëlqyer, Ben Andoni, për gazetën e përjavshme ABC, në vitin 2006. Në qendër të kësaj historie është Emiliano Papa, një shkencëtar shqiptar, i cili ka shkëlqyer në universitetet më të mira të botës në studimet e tij për fizikë, nga Oxfordi në Virginia, etj.

Prej atij viti, Emiliano ka përparuar në karrierën e tij, duke vijuar të punojë sërish si kërkues shkencor në një tjetër universitet, kësaj here në Universitetin e Virxhinias, në Charlottesville, në vitet 2005-2007.

Më pas, karriera e tij pëson një ndryshim drastik, por të imagjinueshëm për botën e financës së lartë, e cila huazon trutë e fuqishëm për të përpunuar modele matematikore për normat e interesit, etj. Emiliano Papa, 2 vite më pas, bëhet analist i modeleve matematikore për normat e interesit në Bankën Kombëtare të Australisë, Londër (2008-2010).

Po në të njëjtin vit, pra në vitin 2010, Emiliano Papa ka punuar si Zëvëndës President, njëkohësisht edhe si analist i modeleve matematikore në Bankën e Amerikës “Merrill Lynch”, në Londër, deri në vitin 2012.

Nga viti 2012 deri në vitin 2014 punoi si manaxher i analistëve të financës së modeleve matematikore në po të njëjtën bankë ku kishte punuar dy vite më parë.

Në qershor të vitit 2014 Emiliano Papa ka punuar si Shef Global i normave të interesit në Deutsche Bank, duke mbuluar kështu EMEA-n, Azinë, dhe Londrën.

Emiliano është njëherësh dhe profesor në University College, London – City, dhe King’s College, London.

Por mbi të gjitha, Emiliano, i cili vjen prej minoritetit grek në Shqipëri, më saktë nga Delvina, ku prindërit e tij kanë vuajtur persekutimin komunist, është një shqiptar i madh. Ai e do shumë Shqipërinë, jo thjesht prej të shoqes që vjen nga Myzeqeja, por pse aty ai ka formësuar ëndrrat më të rëndësishme të jetës së tij në moshën e ëndrrave. Dhe kjo e bën atë më unik në historinë e individualiteteve të shquara të botës shqiptare si ai.

Çudia e parë ndjek të dytën dhe pak nga pak ato që dëgjon me vështirësi prej tij nuk mund të quhen më çudira. Ai ngre supet vazhdimisht, kur e pyet, dhe duart jo shumë elegante i ngrijnë shpesh poshtë një mimike të pakuptueshme. Jo vetëm nuk e njeh, por edhe as e ka dëgjuar filmin “A beautiful mind” të Ron Howard.

Xhon Neshin Jr, nobelistin e famshëm, që e bëri të pavdekshëm Rasëll Kroun? Po ashtu, as për të nuk ka dëgjuar. Por, nuk i bëjnë përshtypje kur ia tregon. Ca më shumë akoma, as nuk i interesojnë shumë gjërat që kanë lidhje me kulturën. Gjërat e artit, librat, kanë kohë që duhet t’i kenë zënë pluhur diku. Ndërsa vetë Emiliano Papa, me një shqipe që ka ardhur duke iu shuar, bën përpjekje deri titanike për të shpjeguar këtë indiferencë…

Pas buzëve të mbledhura, ku atij i duhet të artikulojë fjalën e duhur në mes të greqishtes, shqipes, gjermanishtes dhe anglishtes, është vështirë të kuptosh gjë, të paktën menjëherë. Çdo gjë duhet ta marrësh me mend dhe të arsyetosh se si djali i Fakultetit të Shkencave në Tiranë përshkoi gati fluturimthi Qendrat Universitare të Siegen, Oxford-it, Jussien dhe Texasit.

Në një moment, atëherë kur ti nuk e pret, të duket se befas e ka gjetur edhe çelësin që do të hapë derën e tij. Merr një stilolaps dhe me një shkrim të kursyer matematicieni tregon temat me të cilat ka mbrojtur gradët e tij shkencore dhe që duken, në komplikacionet e emrave të tyre, shumë më të lehta se vetë kuptimi i ngrirë i gjestikulacioneve të tij.

Për fizikanin gjeni

Kështu ti duhet të ambientohesh me këtë qenie, për të cilën ka kuptim vetëm fizika. Fizikani me pasaportë shqiptare dhe me kombësi greke ka koordinata të tjera, ndërsa universi i tij ka kohë që nuk është më ai i njerëzve të zakonshëm. Punon vetëm përgjatë natës. Zakonisht fle në orën 04.00 ose 05.00 të mëngjesit dhe gjen paqe me gjumin deri në orën 11:00 të paradites. Këtu fillon dita e fizikanit, e cila në studion e tij vazhdon deri në orën 19.00-20.00 të darkës.

Kthehet në shtëpi dhe prehet deri në mesnatë për të filluar nga fillimi ditën në vazhdim.

“Jam i kënaqur me këtë lloj jete. Kam takime, njoh profesorë të njohur dhe lëviz shumë”.

Në fakt, jeta e tij është është e ndarë në mes të Greqisë, Shqipërisë, Gjermanisë dhe SHBA-së. Me të parën e lidh gjuha e nënës dhe një nga privacionet e jetës së tij; me të dytën vendlindja, por më shumë malli; me Gjermaninë, fillimi i ndryshimit; dhe SHBA-ja, vendi në të cilin jeton. Prej pak vjetësh është vendosur në Austin në një shtëpi me qira, së bashku me të shoqen Helga, me të cilën janë martuar me një ceremoni të ritualit ortodoks në Tiranë, plot një muaj më parë. Zgjodhën Tiranën, sepse edhe ata pak njerëz të përbashkët që u kishin mbetur ishin pikërisht nga Shqipëria.

Mes tyre, një muaj më parë, pedagogët e njohur dhe shokët e paktë të kursit i shoqëruan deri në altar, ku ndërruan kurorat me të shoqen. “Të gjithë janë jashtë: prindërit, që marrin një pension të vogël me motrën e madhe në Greqi, kurse motra e vogël në Gjermani studion ekonomi dhe kaq”.

Emiliano vjen vetëm dy javë në vit në Shqipëri. Kaq i duhet të shoqes që të çmallet me prindërit e saj që kanë zbritur në Tiranë nga vendlindja e saj, Berati, ndërsa atij vetë t’i bëjë një check-out të gjithë miqve, por edhe vendit ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij.

E Shqipëria e vogël, bashkë me privacionet për të mbijetuar, për shkak të luftës së klasave dhe ngacmimeve për shkak të kombësisë greke-i ka dhuruar edhe momentet më të bukura të jetës. Pikërisht atje, ai filloi jetën e tij, që tashmë rrotullohet vetëm rreth koncepteve më moderne të fizikës. Një ngjitje e tillë e rrufeshme, që do t’i humbiste mendjen kujtdo që do të provonte rrugën e tij. “Unë merrem me Fizikën Teorike dhe…”, (këtu duket se i mbarojnë fjalët shqip dhe merr stilolapsin).

Tani jam duke punuar për probleme të transportit ndërmjet gjendjeve të skajshme të vrimave hapësinore. Kjo bëhet për të shpjeguar disa fenomene që kanë lindur në eksperimentet e fundit në Kaliforni në “Institute of Technology’. Është matematikisht e komplikuar. Problemi qëndron se sistemet njëdimensionale janë të ndryshëm nga sistemet dy-tridimensionale.

“Dhe, nga pikëpamje që unë nuk di ti shpjegoj, është një llogaritje elektronesh, dhe ka interes sepse ndodhin fenomene jo të zakonshme. Krijohen valë me shpejtësi të ndryshme, është më tepër fizikë teorike…”, kruan pak kokën me dy gishtërinjtë e parë.

Kujt i duhet kjo-të lind një pyetje e thjeshtë. Por, përballë të qëndron një fytyrë rrumbullake që të shikon ngultas dhe që duket se i ke kërkuar gjënë më të pamundur në botë: “Nuk e di se çfarë ekzaktësisht mund të bëhen, sepse ne zakonisht merremi me gjëra që na pëlqejnë…”-të thotë me një çiltërsi që mund të çarmatosë këdo dhe përmes një pëshpërime që do të duket se do të trembte dhe elektronet…Por, në të vërtetë, kaq edhe di të thotë Profesori i ri i Teksasit.

Retrospektiva e jetës

34 vjet më parë, në shtëpinë e tij të thjeshtë në Delvinë, një qytet në jugperëndim të vendit dhe gati më shumë se 200 kilometra nga Tirana, lindja e tij ishte një gëzim jo i vogël. Emiliano po vinte në jetë pas lindjes së një vajze. Në familjen e thjeshtë minoritare të një mësuesi province historie dhe një infermiereje, ashtu si ndodh me ballkanasit, lindja e një mashkulli, tregonte se vazhdimësia ishte siguruar. Por, kjo vazhdimësi kishte një kusht: ajo duhej të kalonte drejt kalvarit për familjen Papa. Tre vjet më vonë, një ditë të vitit 1974, i gjyshi i tij, i diplomuar për drejtësi në Athinë, do të burgosej për agjitacion e progandë. Kishin mbetur pas kujtimet e bukura, kur ishte martuar me një kretane, fryt i së cilës ishte lindja në Athinë e vajzës së tyre. Vite më vonë, ajo vetë do të lindte në Shqipëri- Emilianon. Pak ditë më vonë burgut të të atit, i vëllai i saj, që kërcënohej me të njëjtin motiv për burgim, arriti të bënte një tentativë arratisje spektakolare në Greqi…

Pas kësaj, për Emilanon e vogël, në shtëpinë e të cilit flitej greqisht, nuk do të kishte jetë si të tjerët. Ai do të rritej disi i izoluar ndër nxënës të tjerë, i vetmuar në botën e tij të notave, ku qetësinë e vetme do t’ia dhuronin vetëm disiplinat e shkencave ekzakte. Ato, me heshtjen e tyre të rëndë edhe do e mbronin nga ideologjia e rëndë që prekte minoritarët e llojit të tij. Atëbotë jeta vazhdonte dhe familja mbijetonte: Emiliano, në kohën e lirë, bashkë me motrat mblidhte deri lule, që të lehtësonte jetën, ndërsa i ati ndërkohë ishte transferuar në zonën e thellë të Pollogut. Kuptohet se me këto parametra, ai ishte i lindur që të mbetej dështak në luftën e jetës. Deri atëherë ishte munduar që të bënte një jetë relativisht të qetë, në mes të ngacmimeve për kombësinë dhe heshtjes për biografinë që i nxinte. Gjithsesi, kjo nuk do e pengonte në shkollë, ku ai kishte rezultate pozitive, përveç fiskulturës dhe punës prodhuese.

Nuk diskutohej vendi i parë i tij në Olimpiadat lokale, ndërsa kulmin e arrin në Olimpiadën e Fizikës, që bëhej në vitin e katërt. “Unë zura vendin e dytë në Shqipëri, në shkallë republike”, kujton. I shkëlqejnë sytë, sikur ka zgjidhur ndonjë ekuacion të gradave sipërore. Nga kjo është e lehtë të gjykosh se çfarë gëzimi duhet t’i ketë ngjallur në atë kohë. Por edhe kjo nuk është e mjaftueshme.

Aventura shkencore

Aventura e tij e madhe fillon me sezonin shkollor të vitit 1988-1989. Nuk i nxjerrin shkollën e lartë dhe këtu e ndjen realisht se ai nuk është si të tjerët. Qëndron në shtëpi për pak muaj dhe merr librat e fizikës nga shokët për të mësuar vetë. Eshtë i vendosur që, edhe po të mos i dalë shkolla, do të vazhdojë kështu. Falë fillimit të liberalizimit të Shqipërisë, daja i sjell me emrin e motrës së gjyshes libra nga Greqia. Pak muaj më vonë, bën një hap donkishotesk, që i shkon vetëm mendjes së tij. Ndjek leksione në Universitetin e Tiranës, pa të drejtë note, si dëgjues i jashtëm.

Që në provimin e parë, një javë pasi vjen në Fakultet (ai nuk mund të merrte nota), është më mirë nga të gjithë. Pedagogët e duan dhe janë të predispozuar ta ndihmojnë. Ai e justifikon me nxënien dhe është i zhuritur që të dëgjojë në apel emrin e tij. “Mrekullia” ndodh vitin tjetër, ku falë ndihmës së Ministrit të atëhershëm të Arsimit, Skënder Gjinushi, ai bëhet student i rregullt që në vitin e parë. Pas kësaj në 40 provimet e shkollës, ai është me nota maksimale në Mekanikën Kuantike, Elektrodinamikë, Fizikën Relativiste etj. Profesorët, Meidani, Klosi, Sykja etj., jo vetëm e admirojnë por janë të predispozuar ta ndihmojnë. Ndërkohë ka ardhur edhe demokracia.

Të gjithë janë të çakorduar, ndërsa djalit i duhet që të ecë vetëm përpara. Që këtej e tutje, mushkëritë e djalit nuk do të thithnin më ajrin e të persekutuarit. Vërtet, ai nuk di të ndalet.

Në vitin e tretë 1992-1993, merr një bursë për 9 muaj dhe shkon në Gjermani në Siegen, afër Frankfurtit, që ka një lidhje me Tiranën në kuadër të këtij programi. Punon për “Përhapjen e valëve eletromaknetike me formë gausiane në mjedise absorbive dhe disperive”. Kur shkon nuk di asnjë fjalë gjermanisht dhe për më tepër nga fëmijëria ka mbetur një djalë province tepër i ndrojtur. Në Siegen, për këto cilësi nuk ka nevojë askush. I pari që e kupton këtë është vetë Emiliano.

Ai mëson gjuhën dhe për herë të parë kupton magjinë e tastierave të PC-së. Ky njeri, pavarësisht pamjes së druajtur, llogaritë i ka të prera në kokë: ”Nëse do të kthehet në Shqipëri, ai e di se imazhet që japin emisionet e lajmeve për vendin e tij, do e gllabërojnë”.

Një vit më vonë do të bëjë një formalitet në vendin e tij, teksa kthehet thjesht të marrë diplomën. Por koka e tij nuk është më në Shqipëri. Me ndihmën e Profesor Hans Piter Damen, mecenati i tij (Hans Peter Damen është fizikan i njohur në fizikën e energjive të larta), ai shkon për të mbrojtur Master-in në Gjermani. Në 5 provime, ai është i distancuar gati me dyfishin e pikëve me të tjerët. Ka mbaruar hapi i parë, sepse në vitin 1997 shkon në Oksford për Fizikë Teorike, “Department of Theoritical Physics”.

Me profesorë dhe ish-studentë të Oksfordit
Deri atëherë fliste greqisht, gjuhën e nënës; shqipen-prej vendit ku ishte rritur; ndërsa kishte mësuar në kohë rekord dhe gjermanishten. Tani i duhet të mësojë dhe anglishten për të mbrojtur PH.D.

Tema ishte “Aplikime të Fizikës Teorike të fushës në sisteme konvencionale të trupave të ngurtë”. Atje punon me një fizikan të njohur, Rudolph Peierls, dhe mbaron të gjithë procesin e saj, që normalisht zgjat 4-5 vjet, në vetëm 3 vjet. Ka një bursë nga Royal Academy of Sciences dhe më vonë merr dhe një bursë nga Foundation Saint Piter School. Vlerësimi dhe këtu është maksimal, por me sistemin britanik. “Application of Quantum Field Theory in Condensed Matter System”, meriton notën më të lartë 1.0. Kështu me një bursë tjetër të BE-së, tani do të jetë në Universitetin “Pier dhe Mary Kyrie“, në Paris, me disa nga emrat më të njohur të fizikës në kohën tonë. Nga këtej vjen në Austin, ku punon me Alen McDonald, një nga pedagogët më të mirë të kuantikës. “Është pikërisht nga kjo kohë që kam vazhduar të aplikoj të gjithë ato që kam mësuar me profesor Aleksej Sherkon në sistemet kuantike të vrimave”.

Çfarë është gjithë kjo

Është e vështirë, që t’ua shpjegosh njerëzve arritjen e tij. Por, nga vetë ai mëson se kemi të bëjmë me fizikë teorike, që është shumë hapa para e para zbatimit: “Bëhet fjalë për një sistem dydimensional elektrodash në prezencë të një fushe të fuqishme pingule, një fushe magnetike të fortë. Çfarë ndodh është që elektronet në prezencë të fushës magnetike, vijnë në formë rrethore dhe për shkak të mungesës së hapësirës në skaje, elektronet vihen në trajektore njëdimensionale rreth sistemit… ‘

Elektronet detyrohen që të lëvizin në një dimension dhe e kanë të vështirë që të sillen si elektronet me shumë dimensione. Thjesht mund të themi që elektronet me një dimension mund të veprojnë në formë të veçantë, ndërsa kolektivet, varet nga spinat dhe valët nga ngarkesa. Ka përdorim në superpërcjellshmëri sepse metalet në temperaturat e larta kanë veti të tjera”.

Me pak fjalë

Kjo është me pak fjalë jeta e Emiliano Papës, një djali minoritar nga Shqipëria. Eshtë një nga pedagogët e Universitetit të Teksasit, ndërsa mallin e vetëm abstrakt për vendin e merr përmes lajmeve shqiptare që ndjek përditë, por edhe nëpërmjet Deutsche Welle, etj.

Kaq mjafton, sepse pjesa tjetër është e lidhur me institucione, universitete, ku qarkullojnë emra të tillë si Princeton, që është formuar nga Ajnshtajni apo “Kalifornia Institute of Technology”. Ai vetë tani viziton profesorët më të njohur të botës së fizikës dhe është gjithmonë e më shumë prezent në shtypin shkencor ndërkombëtar të Fizikës. Mbi të gjitha, është mirënjohës ndaj jetës, që një ditë e dërgoi te ëndrra e tij, e cila është e rrallë dhe e gëzojnë pak njerëz. Edhe për këtë e ka një zgjidhje: gjithçka ka lidhje me vullnetin, por dhe me aftësitë. Kuptohet, dhe me dikë që ai nuk e beson, por që gjithsesi vigjilon diku…

“Ne vazhdimisht përpiqemi që të zbulojmë ligje e rregulla, nuk e dimë pse ato ekzistojnë atje. Janë të gjitha të ndërlidhura. Ka një pikë nga ka nisur kjo ligjësi. Ne thjesht mundohemi t’i zbulojmë…”, flet me vete duke parë në eter pa përcaktim. Eshtë momenti i vetëm që të sjell ndërmend Xhon Neshin, që ai vetë nuk ka “begenisur” ta shikojë ne kinema. Mbase trill gjenish…

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB