Mocioni i mosbesimi i paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje ndaj Qeverisë Hoti nuk e shqetëson aspak kreun e LDK, Isa Mustafa. Në një prononcim për KosovaPress, Mustafa thotë se mocioni është një sfidë për vetë Vetëvendosjen, e jo edhe për LDK-në.
“Sa i përket iniciativës së VV për mocion, ne nuk kemi asnjë telashe të shkojmë në zgjedhje në momentin që vendos shumica. Unë nuk shoh gatishmërinë e shumicës për rrëzim të qeverisë dhe zgjedhje të tjera. Prandaj mocioni bie që është sfidë për Vetëvendosjen dhe jo për LDK-në, sepse atyre iu kanë mbetur letrat në duar”, – tha Mustafa.
Ndërsa po shkojnë drejt fundit, afatet e Gjykatës Speciale për konfirmimin ose jo të aktakuzës ndaj presidentit Thaçi, kanë nisur dhe diskutimet për postin e presidentit dhe zgjerimin e koalicionit qeverisës. Koalicioni aktual nuk i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit në rast dorëheqjeje të Hashim Thaçit.
Kreu i LDK thotë se në partinë që drejton nuk është diskutuar dhe nuk do të diskutohet derisa të lindë nevoja e zgjedhjes së presidentit të ri.
“Në LDK nuk është trajtuar pozita e Presidentit dhe nuk do të trajtohet derisa nuk sfidohemi me mandatin kushtetues, prandaj edhe nuk kemi kurrfarë kundërshtimesh, por as pajtimesh me askënd”, – ka thënë Mustafa.
Ditë më parë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se është i gatshëm për postin e presidentit. Madje, me zgjerimin e koalicionit, sipas Haradinajt, marrja e presidentit nga AAK është e vetmja mënyrë që kjo parti të ketë rol në vendimmarrje të rëndësishme për vendin, siç janë dhe negociatat Kosovë-Serbi.