Kirurgu në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, Numan Baliq, ish-minister i Shendetesise ka mbetur nje muaj ne paraburgim, pas akuzes per ngacmim seksual. Ai u arrestua të mërkurën e javës që lamë pas rreth orës 23.00 me dyshimet se ka ngacmuar seksualisht një paciente në repartin ortopedik.
Gjykata Themelore në Pejë i ka shqiptuar një muaj paraburgim ish-ministrit të Shëndetësisë kosovare, Numan Baliq, me arsyetimin se ky person ka kryer veprën penale sulm seksual nga neni 229 par. 3 nën par.3.10 pika 3.10.2 lidhur me par.1 të LPK-së.
Themelorja e Pejës në vendim e saj jep detaje rreth asaj se si ka ndodhur e gjithë kjo ngjarje.
Sipas Gjykatës, me datë 12.08.2020, në Spitalin Përgjithshëm në Pejë, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësor duke keqpërdorur gjendjen shëndetësore të viktimës e cyt të njëjtën që ta prekë me qëllim seksual pa pëlqimin e saj, në atë mënyrë që natën kritike e dëmtuara duke qenë nënë dhe shoqëruese e foshnjës së hospitalizuar, aty vjen i pandehuri në cilësi të mjekut kujdestar dhe e fton të dëmtuarën që të shkojë në zyrën e kujdestarisë për t’u konsultuar, e dëmtuara shkon pas tij dhe sapo afrohet tek dera e zyrës së kujdestarisë, i pandehuri e mbyll derën e zyrës, i afrohet dhe e prekë pa pëlqimin e saj por që viktima arrin të largohet dhe të kërkojë ndihmë.
Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. Në Prokurorinë Themelore të Pejës kanë konfirmuar për Express ditë më parë arrestimin e një personi me dyshimin për sulm seksual në Spitalin e Pejës.
“Lidhur me rastin në fjalë është ndaluar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale sulm seksual në spitalin regjional të Pejës. Me urdhër të prokurorit është dërguar në ndalim 48-orësh, gjithashtu prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje”, tha zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.
E kjo nuk është hera e parë që ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq, përballet me dyshime për ngacmim seksual. Edhe në shtator të vitit 2018 ai ishte arrestuar e pastaj edhe suspenduar me dyshimet se kishte ngacmuar seksualisht një praktikante në spital. Prokuroria Themelore e Pejës kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për atë rast, por Gjykata Themelore e Pejës vitin e kaluar e kishte liruar nga akuza me arsyetimin se nuk është arritur të provohet se ka kryer vepër penale. Pas kësaj, Baliq është kthyer serish në punë në spital, por lënda për rastin e parë ende nuk ka përfunduar, pasi ajo gjendet në Gjykatën e Apelit.