Kosova është një nga vendet në Ballkan me përhapjen më të madhe të Covid-19. Kjo ka bërë që edhe klubet e futbollit, që janë kthyer në stërvitje që të përgititin ndeshjet e europiane, të shënojnë persona të shumtë të infektuar.
Pas Prishtinës dhe Dritës, edhe te Gjilani i Gentian Mezanit rezultojnë shumë lojtarë e pjesëtarë stafi të infektuar. Klubi i Gjilanit bëri të ditur nëpërmjet drejtorit të klubit, Sevdail Robelli, se 5 futbollistë dhe 4 zyrtarë kishin rezultuar pozitiv në testet e fundit.
“Mund të konfirmoj se pesë futbollistë dhe katër zyrtarë të klubit kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Padyshim, këtë lajm e kemi pranuar me shqetësim të madh. Presim që skuadra të ristestohet edhe nesër, dhe na është premtuar se rezultatet kësaj radhe do t’i marrim më shpejt”, – deklaroi ai.
Sipas të njëjtit burim, pesë futbollistët e infektuar janë Tomislav Bushiç, Shend Këlmendi, Blendi Jakupi, Sebino Plaku dhe Darko Nikaç. Kjo krijon padyshim probeme për klubin, i cili po përgatitet për pjesëmarrjen në Ligën e Europës, ku do të luajë në turin paraeliminator ndaj Tre Pene të San Marinos.