Duhet të ishte kohë afrimesh, sidomos për ekipet që do të luajnë në Europë, por duket se te Kukësi vetëm largojnë. Së fundmi, klubi i Kukësit, nëpërmjet një komunikate për shtyp, njofton ndërprerjen e bashkëpunimit me dy futbollistë.
Bëhet fjalë për sulmuesin Vasil Shkurtaj dhë Gëzim Krasniqi, të cilëve iu ka mbaruar kontrata. Të dy lojtarët, tashmë do të kenë mundësinë të nisin eksperienca të reja në karrierë, ndërsa aventurën me verilindorët e mbyllin me një Kupë Shqipërie të fituar.
Kukësi, tashmë me në krye trajnerin Skënder Gegën, vazhdon punën për të afruar futbollistë të rinj, ku më i përfoluri është sulmuesi i kombëtares, Azdren Llullaku, i cili do të ishte zëvendësuesi natyral për Shkurtaj.