Përhapja në masë e koronavirusit në vendin tonë ka shtuar vigjilencën e ekipeve shqiptare që marrin pjesë në kupat e Europës. Tirana luajti pa problem në turin e parë të Champions League, duke mos pasur asnjë rast.
Duke u nisur nga rastet e ekipeve kosovare, që po shtyjnë dhe po humbasin ndeshjet në tavolinë si pasojë e infektimit të shumë futbollistëve, Kukësi, sipas rekomandimeve të UEFA-s, ka zbatuar me rigorozitet protokollin para ndeshjes me Slavian e Sofias.
Së pari, faza përgatitore u bë larg një vatre të nxehtë si Tirana, duke bërë stërvitje në Bajram Curr, me klimë më të freskët dhe larg kontakteve nga njerëzit. Së dyti, Kukësi anuloi miqësoren me Kastriotin për të shmangur ndonjë infektim.
Kukësi, edhe pse nuk e ka pasur me detyrim kryerjen e tamponëve, e ka bërë dje dhe sot kanë ardhur përgjigjet. Asnjë pjesëtar i klubit nuk ka rezultuar pozitiv dhe Kukësi do të vijojë të stërvitet në Elbasan, deri ditën e ndeshjes, që do të luhet më 27 gusht në “Air Albania”.
Pra, na ndajnë edhe 5 ditë nga ndeshja dhe Kukësi po bën kujdes maksimal. Një ditë para ndeshjes do të bëhet tjetër test, kësaj radhe nga UEFA dhe shpresohet që asnjë futbollist mos të infektohet. Verilindorët shpresojnë të kalojnë minimalisht turin e parë.