Kosova raportoi sërish shifra të larta në pandeminë koronavirus. Në 24 orët e fundit humbën jetën 6 pacientë, ndërsa u diagnostikuan 141 raste të reja. Në total numri i të prekurve shkoi në rreth 13 mijë dhe bilanci i viktimave në 498.
Për të përballuar këtë emergjencë shëndetësore dhe ndonjë përkeqësim të mundshem, Organizata Botërore e Shëndetësisë i bëri Kosovës një donacion në pajisje oksigjeni për trajtimin e pacientëve.
Gjithashtu premtoi se dozat e para të vaksinës kundër Covid-19 do të mbërrijnë deri në qershor të vitit të ardhshëm.
“Prognoza më optimiste është që vaksinat e para do të vijnë në Kosovë në qershor të vitit të ardhshëm, kështu që deri atëherë ne duhet të mbrohemi”, tha Sergy Koryak, përfaqësues i OBSH.
Ndërsa zyrtarja e Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson ftoi qytetarët e Kosovës të respektojnë masat mbrojtëse.
“Mënyra më efektive për të luftuar virusin është në bartjen e maskës, mbajtjen e distancës dhe larjen e duarve. Kjo është ajo që të gjithë mund ta bëjnë dhe duhet ta bëjnë”, u shpreh Ulrika Richardson.
Një koment falenderues pati dhe ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, i cili tha se këto donacione po ndihmojnë në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.