Kanë të njëjtat ngjyra bardheblu, si Prishtina, ashtu edhe Tirana. Ekipi kryeqytetas kosovar e ka mundur dy herë në vitet ’80 ekip e njohur serb, ndërsa kryeqytetasit e Shqipërisë do ta provojnë sonte. Gjenerata e artë e klubit të futbollit Prishtina gjithmonë do të mbetet në kujtesën e dashamirëve të futbollit.
Mund ta shikoni edhe në video, rreth 9 minuta nga loja e madhe e Prishtinës më 1 dhjetor të vitit 1985. Gjenerata më brilante që ka pasur Kosova me kapitenin Fadil Vokrri, pastaj Kujtim Shala, Fadil Muriqi, Mensur Nexhipi, Sahit Kelmendi, Skënder Shengyli, Zoran Batroviqi, Shukri Paçarada, Rafet Prekazi, Ramadan Cimili etj.
Prishtina dy herë e ka shembur keq Zvezdën. Së pari, Beogradi u trondit më 16 tetor të vitit 1983, në kuadër të javës së 11-të të Ligës së Parë Federative të shtetit që nuk ekziston më, Jugosllavia.
Prishtina fitoi midis “Marakanës” me rezultat 3-1 kundër Crvena Zvezdës, falë golave të Agim Canës (55’), Zoran Batroviqit (68’ e 72’), ndërsa për serbët kishte shënuar Boshko Gjurovski (30’, nga penalltia).
Më 1 dhjetor të vitit 1985, Prishtina e “përvëloi” sërish Zvezdën, e mposhti 2-1. Stadiumi në festë, mbi 30 mijë shikues festuan fitoren e madhe, në kuadër të javës së 16-të të Ligës së Parë.