Humbja në ndeshjen e parë të play-off ishte rastësi për dy skuadrat pretendente të NBA. Los Angeles Lakers triumfoi me dyshen LeBron James-Anthony Davis. Kalifornianët fituan ndeshjen e tretë ndaj Portland Trail Blazers me shifrat 116-108, duke marrë në 2-1 kryesimin e serisë së përballjes mes tyre.
Mbreti James bëri liderin e vërtetë në këtë sfidë teksa ishte thjeshtë “monstruoz” me 38 pikë, 12 rebound dhe 8 asiste, edhe Davis shkëlqeu me 29 pikë, 11 rebound dhe 8 asiste. Të pamjaftueshme ndërkohë 34 pikët e realizuara nga Damian Lillard për Portlandin që tashmë duhet të mendojë për ndeshjen e radhës.
Rihapi garën në përballjen tjetër çerekfinale në Perëndim, Oklahoma City Thunder, që mposhti pas kohës shtesë me rezultatin 119-107 Houston Rockets. Në HP Field House të Orlandos diferencën e bëri loja në grup e City Thunder, ku plot 4 basketbollistë të City Thunder realizuan 20 pikë e sipër.
Spikati padiskutim gjermani Denis Schroder me 29 pikë ndërsa u ndihmua edhe Chris Paul me 26 pikë të tjera. Ndërkohë për të evituar humbjen e parë në përballjen ndaj Oklahomës, Houston-it nuk i mjaftuan 38 pikët e James Harden.
Një super Giannis Antetokounmpo mori për dore Milwaukee Bucks që gjithashtu tashmë kryeson 2-1 serinë ndaj Orlando Magic. Greku ishte jeshtë jashtëzakonshëm duke realizuar 35 pikë 11 rebound dhe 7 asiste. Një sukses me shifrat 121-107 për Bucks që tanimë duhet të fitojnë dhe dy sfida të tjera për të shkuar në gjysmëfinalet e Lindjes.
Miami Heat ndërkohë pothuajse është në fazën tjetër të play-off pas fitores së tretë radhazi që mori në serinë ndaj Indiana Pacers këtë herë me rezultatin 124-115, ku dy më të mirët mbi parket për skuadrën nga Florida ishin Jimmy Butler dhe Goran Dragic.
KONFERENCA E LINDJES – ÇEREKFINALE PLAY OFF
Milwaukee Bucks – Orlando Magic 121-107 (2-1)
Toronto Raptors – Brooklyn Nets (3-0)
Boston Celtics – Philadelphia 76ers (3-0)
Miami Heat – Indiana Pacers 124-115 (3-0)
KONFERENCA E PERËNDIMIT – ÇEREKFINALE PLAY OFF
Los Angeles Lakers – Portland Blazers 116-108 (2-1)
Los Angeles Clippers – Dallas Mavericks (2-1)
Denver Nuggets – Utah Jazz 87-124 (1-2)
Houston Rockets – Oklahoma City Thunder 107-119 (2-1)