MENU
klinika

Ku konsiston kjo lloj terapie dhe a ka filluar trajtimi në Shqipëri?

Mjekët italianë dhe shqiptarë nisin punën për terapinë plazmatike

11.08.2020 - 08:58

Terapia plazmatike, e përdorur si pjesë e protokolleve mjekësore në vendet e zhvilluara kundër COVID-19, po tentohet të sillet edhe në vendin tonë. Mjeku epidemiolog Dritan Ulqinaku: “Të mos merret si armë efikase, është e barabartë me mjekimet e tjera.”

Terapia plazmatike shfrytëzon gjakun e të sëmurëve që e kanë kaluar COVID-19 dhe plazma e këtyre personave mund të shërbejë si një lloj medikamenti për të bërë të mundur shërimin e atyre që kanë nevojë. Në vendin tonë ende nuk ka filluar trajtimi i kësaj terapie.

Kështu u shpreh në një intervistë për gazetën “Fjala” mjeku epidemiolog, njëkohësisht nëndrejtor i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku. Sipas tij, kjo lloj terapie është një nga llojet e shumta të mjekimeve simptomatike që përdoren kundër koronavirusit, por mjeku thekson se nuk duhet marrë si një “armë” shumë efikase, pasi është e barabartë me mjekimet e tjera. Ulqinaku thekson se “lufta” e duhur me virusin është parandalimi i infektimit, mbrojtja dhe respektimi i masave për të ulur numrin e të infektuarve në vend.

Si e shikoni situatën aktuale në vend, për sa i përket numrit të personave të infektuar, si dhe humbjeve të jetës prej COVID-19?

Jemi në një situatë ku kemi qarkullim të virusit. Kemi shifra të larta të të infektuarve, të cilat kanë disa javë që e kanë kaluar shifrën e 100 rasteve të reja në ditë. Ndërkohë ne vazhdojmë të bëjmë përpjekjet maksimale që ta menaxhojmë situatën, si nga aspekti i promocionit shëndetësor, ashtu edhe nga kapacitetet hospitaliere.

Fatkeqësisht, ky lloj virusi shoqërohet me humbje jete që janë të pashmangshme. E vetmja gjë që mund të shamnget është që të mos infektohemi, dhe këtë duhet ta përsërisim vazhdimisht, se si duhet të mbrohet secili nga ne. U kemi kushtuar shumë vëmendje pikave të nxehta që janë, sigurisht, spitalet. Po mundohemi që t’i monitorojmë gjatë gjithë kohës, që të mos i kemi vatra infeksioni. Pjesa tjetër, pa diskutim, ne mundohemi t’u bëjmë thirrje njerëzve që të jenë të kujdesshëm.

Së fundi është diskutuar përdorimi i terapisë plazmatike në Shqipëri. Ku konsiston kjo lloj terapie?

Është një terapi e cila shfrytëzon gjakun e të sëmurëve që e kanë kaluar tashmë Covid-in dhe plazma e këtyre personave mund të shërbejë si një lloj medikamenti për të bërë të mundur shërimin e atyre që kanë nevojë. Nuk mund të themi që ky është mjekimi i duhur. Është një nga llojet e shumta të mjekimeve simptomatike që përdoren kundër Covid-it.

A ka filluar trajtimi i kësaj terapie në vendin tonë?

Jo, në vendin tonë ende nuk ka filluar trajtimi i kësaj terapie. Në informacionin që kam, po punohet që të përdoret si praktikë. Ekspertët e Spitalit Infektiv dhe të “Shefqet Ndroqit”, bashkë me disa ekspertë italianë po punojnë për të përgatitur një protokoll. Pra, po punohet në këtë drejtim, por të mos merret asnjëherë si një armë shumë efikase, është e barabartë me mjekimet e tjera.

Italia është një ndër vendet që e ka përdorur këtë praktikë, mendoni se ka funksionuar?

Ka shumë vende që e kanë përdorur këtë praktikë. Thuhet që jep efekt, por nuk është një mjekim çudibërës, është një nga mjekimet që është përdorur më së shumti në vendet që kanë pasur shumë raste, si dhe në vendet e zhvilluara. Ndërsa vendet e tjera ende nuk kanë filluar ta përdorin, për arsye se ka pasur pak raste, gjithashtu njerëzit janë skeptikë, janë të lodhur, pra ka një sërë problematikash në vetvete.

Cila është këshilla juaj, cila është “lufta” e duhur me COVID-19?

Lufta e duhur është: nëse ndihmon veten, ndihmon shoqërinë dhe të gjithë. Pra, virusi është prezent, ne dimë si të mbrohemi. Mbrojtja është e thjeshtë, vendos maskën në ambient të mbyllur, mos frekuento dasma apo ceremoni mortore, sa më shumë higjienë personale dhe kaq. Tashmë secili duhet të jetë shumë vigjilent. Rastet janë shtuar, teoritë konspirative kanë rënë të gjitha. Nuk ka më fjalë që ky është një gënjeshtër. Kam idenë se çdo shqiptar njeh tashmë persona që kanë kaluar Covid-in dhe nuk është shaka. Pra, të mendojmë realisht për jetën tonë, pa panik.

Si po funksionon hetimi epidemiologjik në Shqipëri, a po kryhen teste aq sa duhet?

Testet kanë ardhur dita-ditës duke u rritur. Pra, në varësi nga kërkesat që kemi nga të gjitha rrethet. Po mundohemi që t’i rrisim sërish kapacitetet laboratorike dhe shumë shpejt do të rritet më shumë numri i testimeve. Por mund të them që ne kemi arritur deri në 700 teste në ditë dhe mendojmë të arrijmë edhe më shumë, gjithmonë në varësi të situatës epidemiologjike.

Sipas disa studimeve të publikuara së fundmi, thuhet se virusi ka pësuar mutacion, cili është mendimi juaj?

Nuk mund të themi akoma që ka pësuar mutacion, por pa diskutim ka dy muaj që nuk është ajo shkalla e vdekshmërisë në rang botëror, por nuk është se ka zhvilluar një mutacion që është pozitiv dhe të na bëjë të ulim vigjilencën. Ne i shohim rastet për ditë, njerëzit infektohen, vdesin, e kalojnë rëndë apo lehtë virusin. Secili nga individët ka specifikën e vet që lidhet me trajtimin e hershëm, këshillat, gjendja emocionale, pasi ndikon shumë në ecurinë e sëmundjes dhe duhet ta theksojmë këtë. Por nuk mund të themi që duhet ulur vigjilenca, madje, përkundrazi, duhet rritur.

Me hyrjen e shtatorit fillojnë të bien edhe temperaturat. Mendoni se do të ketë një ndryshim për sa i përket numrit të personave që mund të infektohen. Si parashikohet ecuria e virusit?

Nuk mendoj se do të ketë një rritje, madje unë, personalisht, mendoj të kundërtën, që mund të ketë një rënie, të paktën deri në fillimin e dimrit, kur temperaturat mund të shkojnë nën 0. Mendoj se me hyrjen e shtatorit do të vijojë e njëjta situatë, nuk pres përkeqësim. Sepse ky virus favorizohet nga temperaturat ekstreme, I ftohti ekstrem dhe i nxehti ekstrem që i bën njerëzit të rrinë në ambiente të freskëta në verë me kondicioner, ose e kundërta në dimër, kur detyrohesh të qëndrosh në ambiente të mbyllura me temperatura të larta. Por kur janë temperaturat normale, si në sezonin e vjeshtës, dhe ajrosja është më e lartë, nuk ka arsye të mendohet se do të ketë një rritje të numrit të të infektuarve./ Fjala.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ilaçet, vaksina dhe plazma…

Parashikimet dhe profecitë në lidhje me Covid