MENU
klinika

“Nëse nuk ka izolim, zinxhiri nuk do të ndërpritet”

Mungesa e testimeve pengon luftën e Shqipërisë ndaj Covid-19

17.08.2020 - 16:30

Instituti i Shëndetit Publik pranon se sistemi i gjurmimit të COVID-19 nuk i ka kapacitetet për t’u bërë tamponin të gjithë pacientëve të dyshuar dhe madje, një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur edhe gjatë periudhës së izolimit.

Refik Çenga nga Kukësi nuk arriti ta bëjë tamponin, ndonëse e shoqja u shtrua në Spitalin Infektiv pas infektimit nga COVID-19. Foto: Esmeralda Keta.

Është ora 10 e një paraditeje përvëluese fundkorriku dhe Refik Cengu po pret prej mëngjesit te gardhi i improvizuar me kangjella hekuri përpara spitalit Infektiv në QSUT.

Refik Çenga nga Kukësi nuk arriti ta bëjë tamponin, ndonëse e shoqja u shtrua në Spitalin Infektiv pas infektimit nga COVID-19

“Kam bashkëshorten të shtruar që prej 8 ditësh me COVID-19 pozitiv dhe po pres të dalë ndonjë sanitare apo infermiere, që t’i dërgoj ndonjë gjë për të ngrënë dhe ndonjë ndërrese brenda,” thotë Refiku, teksa nxiton t’i japë çantën me gjërat personale një prej anëtarëve të stafit të spitalit COVID-1 që afrohet tek zona ku presin familjarët.

Ndonëse bashkëshortja e tij ka rezultuar pozitive ndaj COVID-19, Refiku rrëfen se asnjërit prej 5 anëtarëve të tjerë të familjes Cengu nuk i është bërë tamponi.

“Pavarësisht se bashkëshortja rezultoi pozitive, ne të tjerëve nuk na është bërë tamponi, ndonëse ne e kemi kërkuar disa herë që ta bëjmë,” thotë Refiku, ndërsa shpjegon se në familjen e tij me 6 anëtarë, përveç tij dhe gruas së sëmurë, përfshihet i biri, e reja dhe dy fëmijët e tyre.

“Na thonë nuk keni shenja dhe s’keni pse e bëni, por a nuk kanë thënë vetë këta se edhe ata që nuk kanë shenja mund të kenë COVID-19?” pyet ai, teksa ngre supet.

Burri nga qyteti i Kukësit tregon se as për bashkëshorten nuk ka qenë e thjeshtë që t’i bëhet tamponi.

“U desh që të shkonim dy herë në spitalin e Kukësit, dhe më pas erdhi ambulanca, që i bënë tamponin dhe e sollën në Tiranë,” kujton Refiku. “Tashmë gjendja e saj është e mirë dhe shpresojmë që këto ditë të dalë,” shtoi ai.

Ministria e Shëndetësisë nuk i ktheu përgjigje një kërkese për koment nga BIRN mbi ankesat për neglizhencë dhe mungesë tamponësh në raste kur u kërkohet nga persona që mendojnë se mund të jenë të infektuar me COVID-19, ose që kanë qenë në kontakte me persona pozitivë me koronavirusin e ri.

Që nga regjistrimi i rasteve të para me koronavirus në mars, në Shqipëri janë kryer gati 50 mijë testime për COVID-19 dhe janë indentifikuar më shumë se 7200 raste pozitive. Megjithatë, ekspertët ankohen se testet e kryera çdo ditë janë shumë pak për të gjurmuar shtrirjen e vërtetë të epidemisë, madje ka edhe mungesa tamponësh edhe për personelin shëndetësor.

D.D, me profesion infermiere dhe që çdo ditë e kalon në pavijon me të sëmurët, iu desh ta merrte me dhunë tamponin.

“Pas një javë me shenja mezi ma bënë tamponin,” tregon ajo. “Të punosh 24 vite në spital dhe të dergjesh në shtëpi me temperaturë e të mos të ta bëjnë tamponin, pasi drejtoresha e higjienës thotë nuk ka tampon për personelin mjekësor, kjo është absurde,” shton infermjerja me një dozë zhgënjimi në zërin e saj.

Infermierja i rrëfeu BIRN se ka telefenuar numrin e emergjencës 127 disa herë dhe vetëm pas këmbënguljes së saj, arriti të bëjë testin.

“Mezi erdhën e ma bënë tamponin, por pasi më kishte kaluar temperatura, dhe ma bënë vetëm mua, ndërsa djalit nuk ia bënë sepse nuk kishte tampon,” shton ajo.

Por pavarësisht këtyre ankesave, për drejtoreshën e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino.

“Qëllimi i tamponit është identifikimi dhe më pas izolimi i të sëmurit, por nëse ke shenja të dukshme apo ke pasur kontakte me një person që ka dalë COVID pozitiv edhe nëse nuk të është bërë tamponi, secili prej nesh duhet të izolohet,” tha ajo.

Sipas Binos, është e pamundur që të shkosh shtëpi më shtëpi për të bërë tamponin.

“Kjo ishte e mundur gjatë periudhës së izolimit, por në këtë situatë të re, jo vetem është krejtësisht e pamundur, por edhe e kotë,” tha ajo.

Bino apelon se kush ka simptoma mund të komunikojë edhe me mjekun e familjes dhe ai arrin të bëjë dallimin nëse është COVID apo jo.

“Edhe shumë shtete që kanë sugjeruar testim të të gjithë popullatës, nuk u ka shërbyer, pasi kjo sëmundje ka ende shumë paqartësi edhe nga vete rekomandimet që vijnë nga OBSH,” tha Bino, ndërsa shtoi se “ne po mësojmë çdo ditë nga një gjë të re.”

Ajo sqaron se tamponi është i domosdoshëm për identifikimin e rasteve kur bëhet fjalë për komunitete të mëdha e që mund të kthehen në vatra të mëdha të shpërthimit të virusit.

“Në fasoneri, në call center, në qendra të mëdha pune, aty po është i rëndësishëm bërja e sa më shumë tamponeve, pasi duhet të bëhet gjurmimi i virusit,” shpjegon Bino, ndërsa garanton se nuk ka mungesë tamponësh.

Shifrat e larta të të infektuarve gjatë muajit të fundit ajo i lidh me një lloj shkujdesjeje edhe të qeverisë, edhe të popullatës. Në këtë situatë, ajo është pro idesë së rikthimit të një karantine të pjesshme.

“Nëse je i dyshuar ose ke shenja të COVID por shkon në dasëm, epo këtu ne nuk kemi se çfarë të bëjmë,” tha Bino, ndërsa theksoi se sekreti i luftës ndaj kësaj sëmundjeje është gjurmimi, identifikimi dhe izolimi.

“Nëse nuk ka izolim, zinxhiri nuk do të ndërpritet, ndaj ndoshta do të ishte mirë rikthimi i një karantine të pjesshme,” pohoi ajo.

Numri i tamponëve që kryhen çdo ditë në ISHP ka pësuar një rritje të ndjeshme që nga muaji mars – kur edhe nisi karantina, por drejtoresha e Shërbimit Epidemiologjik thotë se ky numër duhet rritur ende.

“Ne si ISHP kryejmë rreth 5 mijë tamponë në javë, por ne kaq i kemi kapacitetet,” tha Bino.

“Vërtet është liberalizuar bërja e tamponit, por ende nuk po shohim ndonjë ndryshim në shifra, e mira do të ishte që në një javë të kryheshin 7 mijë tamponë, nga 5 mijë që kryhen aktualisht,” shpjegoi ajo, ndërsa shtoi se laboratorët e ISHP-së kanë nevojë për investime.

ISHP ka blerë me fondet e USAID një aparaturë për automatizimin e testeve, e cila pritet të vihet në punë për dy javë, por Instituti ka nevojë gjithashtu për një analizator që do t’ia lehtësonte shumë punën skuadrës prej 12 eskpertësh, që bëjnë testet e COVID-19 që prej muajit mars në laboratorin e këtij institucioni.

Rritja e testimeve është shoqëruar megjithatë me rritje të ankesave të personave që u refuzohet tamponi, ndërsa ekspertët bëjnë thirrje për shtimin e mëtejshëm të numrit të tyre. Këta të fundit argumentojnë se duke parë kurbën se si po zhvillohet infeksioni, jemi shumë larg numrit të tamponëve që duhet të kryhen çdo ditë.

“Me këtë numër të infektuarish që po raportohet aktualisht, Ministria e Shëndetësisë duhet të kryejë së paku 3 mijë tamponë çdo ditë,” thotë Tritan Shehu, ish-ministër i Shëndetësisë për Partinë Demokratike në opozitë.

Sipas tij, jo vetëm që nuk po kryhen aq testime sa do ta duhej, por situata po neglizhohet.

“Është thënë e stërthënë që për të mbajtur nën kontroll këtë sëmundje duhet të ndiqet zinxhiri i kontakteve, gjë e cila në vendin tonë nuk po ndodh,” tha Shehu. “Jo vetëm që nuk po gjurmohen kontaktet, por në shumë raste nuk testohen as ata që futen në grupin e kontakteve të ngushta,” shtoi ai.

Elson Jaçej, kreu i Shoqatës së Infermierëve në vend thotë se realiteti në frontin e luftën ndaj COVID-19 është krejt ndryshe nga ajo çfarë serviret, qoftë për rastet e prekura, qoftë për numrin e tamponeve që po bëhen.

“Shumica e personave që telefonojnë 127-ën iu është rekomanduar të qëndrojnë në shtëpi pasi për momentin nuk ka tampon dhe do të futen në listë pritje,” tha ai.

“Por koha e pritjes mund të ketë qenë për shumicën më e gjatë se koha që një i dyshuar duhet të qëndrojë në shtëpi, nëse do ishte i prekur,” shtoi Jaçej.

Sipas tij, edhe stafi mjekësor vuan për të bërë një tampon.

“Fatkeqësisht ky fenomen është dhe në drejtim të stafit mjekësor e sidomos ndaj infermierëve, ku shumicës i është thënë thjesht qëndroni në shtëpi të izoluar dhe shikoni ecurinë, nëse keni shenja të tjera apo agravon situata shëndetësore, atëherë do ju përshpejtojmë bërjen e tamponit,” tregoi ai.

Jaçej shton se edhe në ato raste kur iu është bërë tamponi, i është bërë vetëm personit të prekur dhe jo njerëzve të kontaktit me të. Ai thotë se në adresë të shoqatës vijnë çdo ditë dhjetëra ankesa, jo vetëm për kushtet e punës, por edhe për neglizhencën në bërjen e tamponit.

“Nga spitali i Durrësit, nga spitali i Beratit, nga QSUT, por edhe nga shumë qendra shëndetësore në të gjithë Shqipërinë na kontaktojnë dhe ankohen dhe denoncojnë faktin se përse infermierët trajtohen të diferencuar, duke mos u bërë as tamponin, por u thonë vetëm të qëndrojnë në shtëpi,” tha kreu i Shoqatës së Infermierëve.

Ai sjell në vëmendje rastin e një infermieri në QSUT, ku pavarësisht se personi me të cilin jetonte doli pozitiv dhe kërkoi që të bënte tamponin për shkak se është çdo ditë në kontakt me pacientë të sëmurë, iu tha se do ta linin në listë pritjeje, pasi nuk kishte tampon.

“Vetëm pasi debatoi ashpër me ta, për shkak të rrrezikut që ai mund të mbartte nëse ishte i infektuar dhe vazhdonte të shkonte në punë, erdhën dhe i bënë tamponin,” tregoi Jaçej. “Por nuk ka përse të ndodhë kështu, infermirët janë në vijë të parë dhe duhet patjetër t’i nënshtrohen testit të tamponit,” shtoi ai.

Jaçej ngre dyshime edhe për raportimet e Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me infektimet e personelit mjekësor.

“Është e çuditshme që shifrat flasin vetëm për stafin mjekësor të spitaleve shtetërore të prekur dhe për ato të privatit, nuk tregohet asgjë edhe pse rasti i parë në Shqipëri doli pikërisht nga spitalet private në vend,” përfundoi ai./ BIRN

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Frika nga e panjohura jep ndjesi ankthi"

BIRN: Masat e COVID-19 rrezikojnë balancën e shëndetit mendor

BIRN: punonjësit vazhdojnë të transportohen në autobusë të tejmbushur

“Fasoneritë, epiqendra e paralajmëruar e epidemisë së COVID-19”


“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!