Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar që të ketë bashkëpunim midis të gjithë akterëve politikë për proceset e rëndësishme me të cilat po ballafaqohet vendi.
Ai tha se strategjia e dialogut me Serbinë duhet të diskutohet mes partnerëve të koalicionit dhe liderëve të opozitës.
“Pa marrë parasysh arsyen dhe nevojën e komunikimit me publikun, duhet të kemi kujdes që për strategjinë tonë të mos merr vesh Serbia përmes debateve në studiot tona televizive dhe përplasjeve të brendshme, sepse kjo në start e dëmton pozicionin dialogues të Kryeministrit tonë”, tha Mustafa përmes një postimi në Facebook të martën.
Mustafa tha se LDK-ja do të kërkojë nga qeveria që të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike.
Ndryshe, në prag të takimit të radhës më 4 shtator në Uashington midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë, dy partitë politike opozitare në Kosovë nuk kanë ndryshuar qëndrim për të qenë pjesë aktive e dialogut politik.
Partitë politike në pushtet thonë se vendi ka nevojë për arritjen e unitetit politik, sidomos për çështjen e dialogut me Serbinë.
Në Qeverinë e Kosovës, por edhe zyrtarët e partive politike që e përbëjnë koalicionin qeverisës, kanë deklaruar se vetëm duke qenë të bashkuar dhe unikë mund të arrijnë rezultate në këtë proces.