MENU
klinika

Analiza

Një rimëkëmbje në formë V-je mund të ndodhë ende!

09.08.2020 - 08:51
  • •Duke pasur parasysh shkallën dhe natyrën e tronditjes ekonomike nga Covid-19, nuk është për t’u habitur që shumica e komentuesve besojnë se perspektiva për rimëkëmbje është e zymtë.
    •Por tregues kyç javorë dhe mujorë, sugjerojnë se një kthim i mprehtë drejt rritjes ka të ngjarë.
    •Nëse kthesa ndodh, do të jetë e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje çështjeve të tjera, si cilësia e rritjes në të ardhmen, shkruan kryetari i Shtëpisë Chatham, Jim O’Neill.

Që nga marsi, kam qenë më i hapur se komentatorët e tjerë ndaj mundësisë së një rikuperimi “në formë V-je” nga rënia e shkaktuar nga pandemia (megjithëse kam paralajmëruar vazhdimisht për sfidat strukturore me të cilat do të përballen shumë ekonomi në dekadën e ardhshme), shkruan Jim O’Neill, drejtues i Chatham House, sipas Forumit Ekonomik Global.

Kudo që e kam shprehur këtë optimizëm, jam përballur me reagime kundërshtuese, duke pasur parasysh thellësinë dhe shkallën e dukshme të krizës aktuale. Sidoqoftë, ndërkohë që jemi në korrik, shumë tregues klasikë afatshkurtër kryesorë dhe të rastësishëm, tregojnë ende një rimëkëmbje në formë V-je, siç tregon edhe ekonomisti kryesor i Bankës së Anglisë, Andy Haldane.

Pavarësisht ndërlikimeve që paraqet COVID-19, të njëjtët tregues javorë dhe mujorë, tek të cilët jam mbështetur prej kohësh, mbeten të dobishëm për ndarjen e sinjalit nga zhurma. Gjatë ditëve të mia si kryeekonomist për Goldman Sachs, dhashë ndihmën time në zhvillimin e një indeksi të quajtur “Global Leading Indicator” (GLI), i cili ishte krijuar për të qenë po aq i saktë, por më i shpejtë se indeksi i gjatë i OECD-së, si dhe më parashikues për sjelljen e tregut financiar.

Që kur u largova nga industria financiare shtatë vjet më parë, kam vazhduar të monitoroj çdo muaj përbërësit e GLI-së që janë të disponueshëm publikisht. Këto përfshijnë treguesit e blerjeve në sektorin prodhues në SHBA (PMI); porositë e reja në lidhje me inventarët; raportet javore të papunësisë në SHBA; anketimi belg i besimit të biznesit; dhe shifrat mujore të eksportit të Koresë së Jugut.

Dhe për të dhëna të tjera në lidhje me gjendjen e ekonomisë globale, mund të ndiqni anketime të njohura të PMI-ve nga vendet e tjera, si dhe anketime mujore si Indeksi i Klimës së Biznesit IFO në Gjermani. Shumë tregues të ngjashëm janë në dispozicion për Kinën, dhe në përgjithësi janë më të besueshëm nga sa besojnë kritikët e këtij vendi.

Përveç këtyre treguesve kryesorë dhe të përkohshëm afatshkurtër, janë ato që kanë të bëjnë më gjerësisht me kushtet financiare. Nga fundi i shkurtit deri në mars, kur COVID-19 po përhapej me shpejtësi në Korenë e Jugut dhe Itali, tregjet financiare reaguan ndaj realitetit se kriza do të arrinte përmasa pandemike. Tregjet e kapitalit pësuan një rënie të mprehtë dhe kushtet globale financiare u shtrënguan ndjeshëm.

Si rezultat, të gjithë treguesit e lartpërmendur të frekuencës së lartë u rrëzuan. Në mars dhe prill, eksportet e Koresë së Jugut ranë ndjeshëm, treguesit PMI u rrënuan kudo dhe papunësia në shumë vende (jo vetëm Shtetet e Bashkuara) u rrit shumë, pavarësisht nismave dramatike nga shumë qeveri për të zbutur goditjen. Këto tendenca pasuan në mënyrë të parashikueshme përhapjen e papritur të COVID-19 në të gjithë botën e zhvilluar, ku shkalla e infeksionit u rrit dhe ekonomitë u mbyllën.

Që atëherë, pandemia është përhapur edhe në ekonomitë në zhvillim, si dhe në pjesë të mëdha të SHBA-së. Shkalla e jashtëzakonshme e urgjencës së shëndetit publik, e kombinuar me masat e jashtëzakonshme të bllokimit në mbarë ekonominë, i ka dhënë një nuancë dramatike dhe apokaliptike krizës. Nuk është për t’u habitur që shumë njerëz do të vinin në dyshim një perspektivë optimiste.

Rikuperimi i formës V është ende i mundur

Sidoqoftë, treguesit aktualë të frekuencës së lartë sugjerojnë se një rikuperim në formë V-je mbetet i mundur. Në fund të fundit, qeveritë në të gjithë botën kanë reaguar me një përgjigje absolutisht masive në politikën ekonomike, duke ndërhyrë me masa të jashtëzakonshme monetare dhe fiskale. Tashmë, shumë qeveri e kanë tejkaluar shumë shkallën e përgjigjes ndaj krizës financiare globale dhe recesionit global të viteve 2008-‘10.

Sigurisht, politikanët janë përqendruar më shumë në kontrollin e emergjencave të menjëhershme shëndetësore dhe ekonomike sesa në stimul; por shumë nga nismat më të rëndësishme të reagimit ndaj krizës do të vazhdojnë të kenë një efekt të qëndrueshëm.

Për shembull, skemat për subvencionimet në punësim për të ruajtur të ardhurat familjare gjatë karantinave të rënda, në shumë raste, kanë rritur normat e kursimeve, të cilat do të përkthehen në rritje të shpenzimeve në të ardhmen (nëse e lejojnë rrethanat). Dhe kjo është vetëm një nga shumë arsyet pse indekset e tregut financiar janë rritur ndjeshëm gjatë javëve të fundit.

Këto mund të mos jenë kohë normale, por zakonisht, një rikthim i tillë do të sugjeronte një rimëkëmbje ekonomike. Për më tepër, shumë prej treguesve kyçë të frekuencës së lartë gjithashtu po përmirësohen – disa në mënyrë të dukshme. Të dhënat e punësimit në SHBA dhe treguesit mujorë të PMI-së në SHBA, Europë dhe Azi, kanë qenë të gjithë në rritje për dy muaj rresht.

Gjithashtu, pavarësisht sfidave të vazhdueshme të Kinës, indeksi PMI i shërbimeve Caixin u rrit duke arritur një rekord dhjetëvjeçar prej 58.4 në qershor. Dhe për ata që dyshojnë në vlefshmërinë e të dhënave kineze, ia vlen të kujtojmë se i njëjti indeks ra në një nivel të ulët prej 26.5 në shkurt. Për më tepër, eksportet e Koresë së Jugut ishin dukshëm më të forta se në muajt e mëparshëm (megjithëse ishin ende 11% më të ulëta se vjet).

Natyrisht, e gjithë kjo lëvizje drejt një rikuperimi në formë V-je është e përkohshme. Nëse ekonomitë e mëdha detyrohen të mbyllen përsëri, treguesit kryesorë të frekuencës së lartë dhe kushtet më të gjera financiare pa dyshim që do të marrin një kthesë tjetër për keq. Por nëse bllokimet mbeten të lokalizuara dhe të përkohshme, nëse sistemet shëndetësore vazhdojnë të zgjerojnë testimin, dhe veçanërisht nëse zhvillohet një vaksinë ose trajtime më efektive, perspektiva ekonomike nuk ka nevojë të jetë aq e zbehtë sa ç’mendojnë shumë veta.

Nëse arrihet një rikuperim në formë V-je, do të jetë e rëndësishme të zhvendosim vëmendjen drejt çështjeve të tjera, siç është cilësia e rritjes në të ardhmen. Ne nuk duhet të përsërisim gabimet e viteve 2009-‘10, kur rimëkëmbja la shumë për të dëshiruar për sa u përket përfitimeve të produktivitetit dhe gjithëpërfshirjes. Politikanët duhet të mendojnë me shumë më tepër imagjinatë dhe në mënyrë shumë më radikale sesa ata një dekadë më parë. Por kjo është një temë për një koment tjetër.