MENU
klinika

Alfred Peza

Opozita që kërkon t’i ngrijë buzëqeshjen në buzë Shqipërisë!

21.08.2020 - 07:42

Nga Alfred Peza

Për shkak të drejtimit të radhës së OSBE nga ana e Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama më cilësinë e kreut të saj, po punon me Bashkimin Europian për të realizuar misionin e ndërmjetësit në Bjellorusi.

Pas zgjedhjeve të fundit në vendin problematik për standardet e zgjedhjeve, demokracisë e shtetit ligjor vendi është përfshirë nga një krizë të thellë politike.Mijëra qytetarë prej ditësh kanë dalë në protesta dhe nuk pranojnë jo vetëm rezultatin që e konsiderojnë të manipuluar por edhe vijimësinë në një kënetë që vazhdon prej 26 vjetësh.

Kjo situatë ka shqetësuar vendet më të fuqishme demokratike të Europës, BE dhe aktorë e faktorë të tjerë të politikës botërore, që po diskutojnë mundësin për uljen e palëve në tryezën e dialogut politik, me ndërmjetësimin e OSBE për zgjidhje. Njëra prej ideve, është ajo e mundësisë së përsëritjes së zgjedhjeve nën monitorimin e faktorit ndërkombëtar dhe të më shumë garancive për opozitën, në mënyrë që vendit të dalë nga gjendja ku e ka zhytur regjimi i Alexander Lukashekos. Aq më tepër që BE, ka deklaruar që nuk i njeh zgjedhjet e 9 gushtit.

Në vend që kjo gjë të na bëjë të ndihemi mirë, në mos si opozitarë të paktën si shqiptarë, opozitarët tanë kanë rikthyer edicionin e ri të festivalit të ngrirjes së buzëqeshjes në buzët e Shqipërisë. Me sa duket nuk dijnë të bëjnë ndryshe, e ta bëjnë më mire, përderisa një lider politik shqiptar mund të kryesojë këtë mision. Në mos do ta zgjidhë çështjen e ndërlikuar të situatës politike në Bjelloruisë, qenia e Kryeministrit të Shqipërisë në rolin e njërit prej protagonistëve kryesorë të këtij procesi të diplomacisë ndërkombëtare, qoftë edhe si imazh i bën mirë vendit. Ndaj, askush nuk është i humbur nga kjo gjë.

Por me sa duket, të humburit e vetëm të kësaj historie në Tiranë, ndihen liderët e opozitës sonë. Të cilët janë pjesë e një kulture që e kanë kultivuar vetë përgjatë këtyre viteve të fundit, ku për tu ndjerë ata mirë, duhet ti ngrijnë buzëqeshjen në buzë Shqipërisë. Një kulturë që hodhi rrënjë në një moment të caktuar, të një konteksti të caktuar të zhvillimeve politike të 1997, kur lideri i atëhershëm i opozitës Sali Berisha e kërcënoi shefin e mazhorancës Fatos Nano me ngrirjen e buzëqeshjes në buzë!

Vitet rrodhën shpejt e bashkë me to klima e përgjithshme u relaksua dhe rrjedha e zhvillimeve politike i favorizoi proceset e firmosjes së marrëveshjes së Asociim Stabilizimit të Shqipërisë me BE, liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Deri vonë të dyja palët politike në Tiranë kanë ditur me gjithë tensionet e brendshme, të ngrihen në lartësinë e kërkuar ka qenë puna; a. Për çështjen e Kosovës dhe; b. Për ato të Integrimit.

Me kalimin e viteve liderët e opozitës aktuale në Shqipëri, e bënë çështjen e integrimit, pjesë të luftës së përditshme politike në Tiranë. Duke vendosur interesat e partisë, mbi ato të Shqipërisë. Më e theksuar kjo ka qenë përgjatë dy viteve të fundit kur opozita i kaloi vijat e kuqe të sistemit duke djegur mandatet e deputetëve, ikur nga Parlamenti e sistemi politik. Duke bojkotuar zgjedhjet dhe duke dalë në rrugë.

Ndërkohë u vu re përpjekja për bllokimin e ecurisë normale të procesit të çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Deri në Samitin e 24 marsit 2020, kur u hap drita jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Me fjalë deklaronin se ishin pro integrimit dhe me vepra, ngazëlleheshin pas çdo deklarate negative, pas çdo pengese, qëndrimi e vendimi që dukej se mund të na penalizonte.

E mbani mend sa gati luteshin me zë të lartë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mos ishin bashkë në këtë proces. Të ndaheshim e të mbesnim pas. Sepse e kanë parë suksesin e Shqipërisë si meritën e qeverisë dhe jo si arritje të shqiptarëve. Ndaj edhe bllokimin, e shihnin si sukesin e opozitës!

Kanë dashur gjatë gjithë kësaj kohe që tia ngrijnë në buzë buzëqeshjen Shqipërisë, për të mirën e partisë. Kanë dashur që ti ngrijnë buzqeshjen në buzë shqiptarëve, për të mirën e liderëve të tyre politikë.

Ndaj edhe misionin e ndërmjetësimit në Bjellorusi të OSBE me kontributin e BE, ku për shkak të drejtimit të radhës Kryeministri Rama është me cilësinë e kreut të saj, opozitarët tanë nuk e shohin si diçka pozitive për Shqipërinë.

Në vend që kjo gjë të na bëjë të ndihemi mirë, në mos si opozitarë të paktën si shqiptarë, kanë nisur sërisht festivalin e ngrirjes së buzëqeshjeve në buzë. Me sa duket nuk dijnë të bëjnë ndryshe, e ta bëjnë më mirë. Puna është vetëm se skanë përse të habiten nesër, kur shqiptarët ti lenë edhe pas 2021, sërisht në opozitë!