Pacientë të varur nga oksigjeni, diku rënkime por dhe falënderime dhe shpresë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka shpërndarë një video të situatës që është aktualisht brenda spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”/COVID2, ku ka një fluks në rritje të pacientëve të prekur nga virusi i rrezikshëm si dhe të rasteve të dyshuara që po marrin trajtim në këtë spital.
Ministrja Manastirliu ka apeluar për respektimin e rregullave për të frenuar përhapjen e COVID19.
“Mbaje maskën, ruaj distancimin, kujdesu për higjienën. Mos rreziko jetën tënde dhe të njerëzve më të dashur! Të gjithë bashkë, t’i japim një dorë mjekëve dhe infermierëve kundër COVID19”, shkruan Manastirliu.
Shefja e Shërbimit të Pneumologjisë në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, prof. Silvana Bala ka bërë një apel për qytetarët: “Asnjëherë mos mendoni që kjo sëmundje është e lehtë. Është shumë e rëndë, është shumë e vështirë. Këta persona që shihni këtu, kanë qenë të shëndoshë, por në një moment, janë në vështirësi me jetën”, tha prof. Bala.