MENU
klinika

Nga Blerina Gjoka

Pandemia mban peng strukturat e reja socialiste

25.08.2020 - 11:14

Kongresi 3-ditor i Partisë Socialiste në fillim të marsit ishte ngjarja e fundit që shënoi organizimin e kësaj partie. Asambleja e zgjedhur nga ky kongres nuk ka mundur të mblidhet për të votuar strukturat e reja drejtuese, Kryesinë dhe Sekretariatin. Pandemia po mban peng riorganizimin e PS-së, edhe pse jemi disa muaj para zgjedhjeve të reja parlamentare.

Nga Blerina Gjoka

Me një skenografi spektakolare, ku mbizotëroi ngjyra vjollcë, simbolikë e re e Partisë Socialiste që prej ardhjes së Edi Ramës në krye të saj, Kongresi i fundit i kësaj partie i mbylli punimet 3-ditore në 1 mars 2020. Por që prej asaj dite premtimet për riorganizimin e partisë, duke zgjedhur strukturat e reja drejtuese, Kryesinë dhe Sekretariatin, kanë mbetur pezull. Pandemia e COVID-19 është arsyeja pse Asambleja e sapozgjedhur nga ky Kongres nuk është mbledhur asnjëherë dhe, për pasojë, ajo nuk ka votuar Kryesinë dhe Sekretariatin, që do të shënonin dhe përmbylljen e e procesit organizativ në fund të 4-vjeçarit, sipas statutit të partisë.

Vetëm një javë pas këtij Kongresi, që mblodhi qindra socialistë në Pallatin e Kongreseve, pandemia e cila kishte prekur shtetin fqinj, Italinë, që në shkurt, u pranua zyrtarisht edhe në vendin tonë, e ndjekur me një mbyllje totale të aktiviteteve dhe izolim në shtëpi të banorëve për më më shumë se 2 muaj. Kësisoj, 135 anëtarët e Asamblesë së re nuk kanë ndërmarrë asnjë tentativë për të kryer detyrat që i ka caktuar statuti i partisë, për të votuar për një Kryesi të re socialiste dhe sekretarët e partisë. Burime nga selia rozë i thanë gazetës “Fjala” se shkaku i mosmbledhjes së Asamblesë kanë qenë pikërisht kushtet e reja të vendosura si pasojë e pandemisë COVID-19. Në një intervistë televizive zv.kryeministri Erjon Braçe, duke komentuar çështjen e zgjedhjeve në parti, tha se “ne nuk jemi të papërgjegjshëm”, duke iu referuar faktit që nuk lejohen aktivitete të tilla, për shkak të kushteve të imponuara nga pandemia.

Asnjë plan votimi

Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar ndryshim stili jetese dhe pune për të gjitha institucionet e vendit, por puna nuk është pezulluar tërësisht. Komisionet parlamentare i kanë realizuar mbledhjet dhe votimet e tyre on line, duke shfrytëzuar platformat e shumta që interneti ofron për këtë gjë. Nga ana tjetër, Parlamenti zgjodhi të mblidhet në sallë, pavarësisht se disa deputetë kishin dalë pozitivë me koronavirus. Por burime nga PS-ja thanë se nuk ka akoma ndonjë plan për të realizuar një mbledhje asambleje online, edhe për shkak se votimi i anëtarëve për përbërjen e Kryesisë duhet të jetë i fshehtë dhe jo i hapur, siç e imponon një mbledhje on line.

Gjithashtu, nuk është parë mundësia për zgjedhjen e një ambienti të madh, si në rastin e sallës së Parlamentit, ku mund të ruhej distanca sociale, gjatë votimit. Në këto rrethana mbetet e paqartë se kur PS-ja do ta ndërmarrë këtë hap, për të përfunduar riorganizimin e saj, edhe pse ky është një moment i rëndësishëm për të, pasi ndodhet disa muaj para zgjedhjeve të reja parlamentare. Në këto zgjedhje partia që arriti të fitonte e vetme mandatin e dytë qeverisës po kërkon një mandat të tretë, edhe pse pas një viti të vështirë, ku qeverisja e saj është përballur me një tërmet tragjik dhe me pandeminë COVID-19, që ka shkaktuar probleme me ekonominë e vendit.

A do të votëbesohet Kryesia e vjetër?!

Asambleja, sipas statutit, do të duhet të votojë për 23 anëtarët e rinj të Kryesisë dhe 10 sekretarët e kësaj partie, të cilët janë në vitin e katërt të mandatit të tyre partiak. Por çfarë do të ndodhë me këtë votim, a do të votëbesohet Kryesia aktuale, apo përbërja e saj do të reflektojë edhe ndryshimet dhe balancat e reja politike që janë vendosur në kupolën e kësaj partie? Kryesia e PS-së, e zgjedhur që në vitin 2016, përbëhet në shumicë nga ish-ministra të mandatit të parë qeverisës, ndër ta dhe Ditmir Bushati, një prej zërave të paktë kritikë të kryeministrit Edi Rama dhe politikave të tij në parti. Shumë prej tyre e gjetën veten jashtë qeverisë në mandatin e dytë, ose u larguan gjatë riformatimit të qeverisë, si Bushati, Lindita Nikolli, Niko Peleshi, Eglantina Gjermeni, Mimi Kodheli, Fatmir Xhafaj etj.

Me shumë gjasa, gjatë zgjedhjeve të reja Kryesia do të rifreskohet me disa emra, për të sjellë në këtë forum njerëzit më të besuar të Ramës. Rama, gjithsesi, vijon të ketë në pjesën e madhe të Kryesisë ministra aktualë apo që kanë poste në Parlament, si Gramoz Ruçi, kryetar i Parlamentit, Taulant Balla, Erjon Braçe, zv.kryeministër, ministrat Blendi Klosi, Olta Xhaxhka, Arben Ahmetaj dhe kryebashkiakun e e Tiranës, Erjon Veliaj. Kryesia, si një nga organet më të rëndësishme vendimmarrëse ka qenë shumë aktive gjatë përzgjedhjes së kandidaturave për kandidatë në zgjedhjet lokale të qershorit 2019, ku opozita refuzoi të merrte pjesë.

Por pa një kryesi të re, aktualisht, partia më e madhe në vend nuk ka ndërmarrë asnjë aksion organizimi për zgjedhjet parlamentare të pranverës së vitit 2021, edhe pse nga ana tjetër partia kundërshtare, ajo Demokratike, ka që në qershor që ka nisur organizimin e saj në të gjitha degët dhe po bën zgjedhjet e kandidatëve për deputetë dhe kryebashkiakë me formulën një anëtar – një votë. Gjatë fjalimit të tij, në Kongresin e marsit, Rama premtoi se gjatë pranverës do të shpaloste dhe programin ekonomik për mandatin e tretë, por zgjatja e pandemisë duket se i ka ndryshuar planet elektorale, duke sjellë prioritet menaxhimin e krizës që shkaktoi izolimi i gjatë.

Kryesia aktuale

Edi Rama

Taulant Balla

Gramoz Ruçi

Ditmir Bushati

Valentina Leskaj

Niko Peleshi

Mimi Kodheli

Lindita Nikolla

Evis Kushi

Erion Veliaj

Damian Gjiknuri

Blendi Klosi

Eglantina Gjermeni

Erion Braçe

Vangjush Dako

Armando Subashi

Arben Ahmetaj

Fatmir Xhafaj

Olta Xhaçka

Pandeli Majko

Vasilika Hysi

Ermonela Valikaj Felaj

Ulsi Manja

Sekretarët:

Taulant Balla – Sekretar i Përgjithshëm

Alfred Peza – Sekretar për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Mediat

Blerina Gjylameti – Sekretare për Organizimin Digjital

Ilir Beqaj – Sekretar për Koordinimin e Këshillave të Rajoneve

Laert Duraj – Sekretar për Emigracionin

Teuta Vodo – Sekretare për Marrëdhëniet Ndërkombëtare

Arben Pëllumbi – Sekretar Organizativ dhe i Koordinimit Elektoral

Damian Gjiknuri – Sekretar për Çështjet Zgjedhore

Lindita Nikolla – Sekretar për Burimet Njerëzore dhe Bashkëqeverisjen

Gent Cakaj – Sekretar për Rininë

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!