Oreksi vjen duke ngrënë. Pas ka fituar të drejtën për të organizuar Botërorin e futbollit më 2022-in, Katari ka konfirmuar se do të hedhë kandidaturën për të organizuar Lojërat Olimpike të vitit 2032.
Komiteti Olimpik i shtetit arab ka deklaruar se ka nisur një fazë dialoguese me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), për të mirëpritur eventin e madh olimpik. Siç dihet, Olimpiada e këtij viti (Tokio 2020) u shty për verën e ardhshme, ndërkohë që Lojërat Olimpike të vitit 2024 do të organizohen në Paris dhe ato të vitit 2028 në Los Angeles.
Katari ka nisur të organizojë disa evente madhore kohët e fundit, përfshi edhe botërorin e atletikës një vit më parë. “Ne po fitojmë nga viti në vit më shumë përvojë në organizimin e eventeve të mëdha në sport. Jemi duke hedhur bazat për organizimin e një Olimpiade”, – tha sheiku Joann bin Hamad bin Khalifa al-Thani, presidenti i Komitetit Olimpik të Katarit.
Kjo do të jetë hera e parë në historinë e olimpizmit që një shtet arab organizon një event të tillë, ndërsa në Azi janë zhvilluar në Australi, Kinë dhe vitin e ardhshëm në Japoni. Afrika nuk ka organizuar asnjëherë Olimpiadë, ndërsa Amerika Latine përfaqësohet vetëm me Brazilin në 2016.