Vijon puna për llogaritjen e përfitimeve që ju takojnë personave që kanë kryer punë në miniera nën tokë, si dhe atyre që kanë punuar në industrinë e naftës dhe të gazit dhe në metalurgji. Për këtë javë organet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se ekspertët kanë konfirmuar përfitimin e pagesave për qindra pensionistë në të gjithë vendin.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka zbardhur listën me 296 përfituesit e rinj në qytete të ndryshme të vendit që sigurojnë pensionin dhe shtesat në bazë të zbatimit të ligjit nr.29\2019, listë të cilën e gjeni të plotë bashkangjitur shkrimit. Për secilin prej përfituesve të listës së detajuar është përcaktuar edhe qendra se ku duhet të paraqiten për të marrë pensionin apo shtesën që ju takon për punët e kryera në miniera, metalurgji, si dhe industrinë e naftës dhe të gazit.
Përfitimi, sipas përcaktimeve në ligjin Nr. 29/2019, jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e ka paraqitur atë pranë agjencisë së sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tij, ose pranë sporteleve të shërbimit në ato bashki ku ndodhet vendbanimi i përhershëm i personit, së bashku me dokumentacionin përkatës, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe rregulloreve të ISSH-së.
Pension për shkak të profesionit kanë të drejtë që ta përfitojnë ish-punonjësit, të cilët kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë; trajtimi me përfitime përpara moshës dhe kushteve të përcaktuara në dispozitat e ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të vazhdojë të bëhet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr. 150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij. Të drejtën e marrjes së këtij lloj përfitimi e gëzojnë edhe të gjithë ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 1, “Punë, që hyjnë në kategorinë e parë”.
Po ashtu kanë të drejtë që të marrin pension për shkak të profesionit edhe ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 2, “Punë, që hyjnë në kategorinë e dytë, dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, sipas listës së miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kategoria tjetër që trajtohet me pensione të kësaj kategorie janë edhe ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në metalurgji në profesione, punë dhe ndërmarrje, sipas përcaktimeve në krerët III, VIII e XII, të pasqyrës nr. 1, të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”.
Ndërsa shtesë mbi pensionin e pleqërisë dhe mbi pensionin e invaliditetit, mund të përfitojnë: ish-punonjësit, sipas përcaktimeve në ligjin për trajtimet suplementare, të cilët kanë përfituar pension pleqërie ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Shtesën mbi pension e përfitojnë të gjithë personat që kanë jo më pak se 6 vite në profesionet dhe punët e përcaktuara në këtë ligj; Gjithashtu shtesën mbi pension e përfitojnë edhe personat që marrin pension sipas ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, kur data e lindjes së të drejtës për pension është deri më 31.12.2014.