MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Po ikin, u boshatis vendi! Loja e ulët e hileqarëve politikë me shifrat

24.08.2020 - 13:41

Janë boshatisur fshatrat, po marrin arratinë, s’ka mbetur këmbë njeriu në asnjë cep të Shqipërisë!

Kjo është një ndër tezat më të preferuara sot, të të gjithë atyre shqiptarëve që nuk janë të kënaqur me punët në vendin e tyre.

Shprehin pakënaqësi dhe pesimizëm mëse të kuptueshëm për vendin ku jetojnë, për demokracinë e dobët dhe të korruptuar shqiptare, që endet prej 30 vjetësh në ujra të pasigurta dhe pa një perspektivë të qartë dhe solide.

Stresi i atyre që këtë gjendje të pashpresë e vuajnë çdo ditë, është më se i respektueshëm dhe me ta është krejt i panevojshëm një debat serioz shifrash, për të parë se sa, si dhe pse po ikin sot shqiptarët nga vendlindja e tyre. Ndjenjat e frustrimit dhe peripecitë e një jete të vështirë nuk pranojnë statistika, ato pranojnë vetëm mirëkuptim dhe heshtje!

Ndryshon puna kur debati spostohet tek një grup tjetër njerëzish. Tek ata persona që këtë ndjesi kolektive pesimizmi dhe dëshpërimi e fryjnë, e manipulojnë, e deformojnë, e gjuajnë si top futbolli nga një podium në tjetrin, duke e shumëfishuar sipas spektrit hipokrit të interesave të tyre të ditës.

Hileqarë të të gjitha ngjyrave e flamujve, tregëtarë lotësh dhe spekulantë shifrash, shpesh drejtpërdrejt përgjegjës për hemoragjinë e ikjes për shkak të detyrave e posteve që kanë mbajtur, skuthë me kostum e kravatë që kanë qenë deputetë, ministra e kryeministra, e që bëjnë të habiturin sot, sikur s’kanë qenë në këtë vend (madje në majë të tij), kur kanë ikur peshkarexhat, kur janë derdhur lumenjtë e njerëzve të mbetur pa shtëpi nga piramidat, e më vonë kur qindra mijë shqiptarë vijuan të ikin në heshtje për shkak të papunësisë, korrupsionit dhe të ardhmes së fëmijëve. Kjo histori e gjatë ikjesh është fatkeqësisht një ndër “markat” që na dallon si komb, duke na kthyer në vend që eksportin kryesor ka krahun e lirë të punës.

Një studim i fundit i Kombeve të Bashkuara dhe Bankës Botërore ndihmon të hidhet dritë mbi perspektivën e fenomenit të emigracionit në Evropën Qëndrore dhe Lindore. Është dhe Shqipëria aty, si një ndër vendet me përqindje të konsiderushme pakësimi popullsie, për shkak të ikjeve drejt Perëndimit. Por jo me përqindjen më të lartë ndër vendet e tjera të rajonit. Nuk “shquhemi” as në këtë aspekt, si zakonisht.

Studimi thotë se deri në vitin 2050, Shqipëria do të jetë pakësuar me 18% të popullsisë së saj, për shkak të emigracionit ekonomik. Një shifër e lartë dhe shqetësuese për shkak se tregon se trendi i largimit nga vendi do të jetë afatgjatë, duke na privuar nga një numër i madh shtetasish që mund të ishin baza e ringritjes ekonomike dhe e Shqipërisë së nesërme të integruar në BE.

Në një aspekt kontesktual, duke e parë fenomenin shqiptar të përfshirë në hartën euro-lindore, duket se ka mjaft të tjerë që duhet të jenë më të shqetësuar se ne. Hungarezët, fjala vjen, të cilët sipas raportit do të humbasin 20% të popullsisë për shkak të emigracionit. Më tej akoma, rumunët e bullgarët do të pakësohen me respektivisht 30 dhe 39 përqind të popullsisë, kroatët me 22%, boshnjakët me 29% dhe serbët me 24%. Më pak se ne do të emigraojnë kosovarët, maqedonët dhe malazezët.

Siç shihet “kujen” e emigracionit po e venë të gjithë popujt e kësaj pjese të Evropës. Madje hemoragjia e ikjes prek më shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian, sesa të tjerat. E kuptueshme deri diku, edhe për shkak të lehtësisë së zhvendosjes që kanë shtetasit e këtyre vendeve, brenda hapësirës së përbashkët evropiane.

Nuk ka asnjë vend për të kënduar fitore në këtë histori. As për ne, as për të tjerët rrotull nesh. Shumica dërrmuese e shqiptarëve që ikin, kanë me vete histori njerëzore të dhimbshme, të cilat janë akt-akuza për klasën tonë politike dhe qeverinë e radhës.

Por ka edhe një shpjegim më global të fenomenit, i cili e sheh botën e sotme si të dominuar nga një pandemi e përbotshme migrimi. Dallgët e të ikurve nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme s’kanë asgjë të përbashkët me dinamikat e brendshme shqiptare apo kroate, bullgare e rumune, por janë shumë herë më të fuqishme sesa flukset tona migratore. Është e kuptueshme që dikujt s’i pëlqen të krahasohemi me këto pjesë të botës, por nuk duhet të harrojmë se shtysa për një jetë më të mirë vlen, sipas kontekstit konkret, për të gjithë popujt e botës. Është ajo që studiuesi e politologu i famshëm francez Zhak Atali e quan kultura e nomadizmit. Një raport i ri i njeriut me vendlindjen dhe botën, por edhe me dëshirën për të jetuar aty ku ka më shumë shanse, punë dhe të ardhura. Një fenomen bashkudhëtar, sipas Attali, i globalizmit dhe i erës së re të komunikimit e teknologjisë.

Ta vendosësh fatin e shqiptarëve në një kontekst të drejtë në raport me fenomenin e emigracionit, është akti më normal, që ndihmon të ndahet gjithçka është racionale dhe e vërtetë, nga rrenat e manipulimet, në kaosin e zhurmave që shoqërojnë sot largimet nga Shqipëria. Është njëherësh një mesazh i fortë realizmi ndaj momentit që jetojmë, ku vajtojcat profesioniste të politikës po mundohen t’i thonë orë e çast në vesh shqiptarit të thjeshtë “Ik, ky vend nuk bëhet”! Të shohim më parë ç’po ndodh tek komshiu e të kuptojmë atë që na rrethon, para se të marrim shaminë për t’i thënë gjithë botës se jemi më keq se të tjerët.

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!