MENU
klinika

Analiza e shifrave

Presioni që ushtroi pandemia në tregtinë e jashtme të Shqipërisë

09.08.2020 - 10:07

Situata e krijuar nga pandemia ka krijuar një përkulje të fortë të linjës së tregtisë së jashtme sidomos në muajt mars dhe prill. Shkak për uljen e fortë të shkëmbimeve tregtare ishte mbyllja e kufijve nga Shqipëria dhe vendet e tjera duke lejuar kalimin, vetëm të atyre mallrave që konsideroheshin si prioritare.

Ajo që bie në sy në kurbën e shkëmbimeve tregtare është ‘përkulja’ e fortë në dy muajt e karantinës(Mars-Prill) por edhe një orientim ndryshe i shkëmbimeve tregtare, duke u rritur ato me Rusinë dhe Ukrainën për shkak të importit të drithërave.

Lirimi i masave parandaluese filloi të japë efekt edhe në normalizimin e shkëmbimeve tregtare pasi shifra e eksporteve dhe e importeve filloi të shënoj rritje. Gjithsesi, efekti është ndjerë në 6 mujorin e parë, pavarësisht rikuperimit të nisur, pasi eksportet arritën vlerën 125 miliardë lekë duke u ulur me 17.7 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ndërsa importet arritën vlerën 271 miliard lekë duke u ulur me 14.6 % krahasuar me periudhën janar-qershor të vitit të kaluar.

Çfarë ndodhi me eksportet

Nëse analizojmë shifrat e tregtisë së jashtme të INSTAT në rang 6-mujori (janar-qershor), grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Tekstile dhe këpucë” me -9,2 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,5 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,4 pikë përqindje.

Ndërkohë, në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqim, pije, duhan” me +0,6 pikë përqindje dhe “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me +0,2 pikë përqindje.

Gjatë këtij gjashtëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Gjermania (14,0 %), Turqia (12,2 %) dhe Mbretëria e Bashkuar (14,5 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-24,6 %), Kosova (-28,1 %) dhe Spanja (-11,5 %).

Çfarë ndodhi me importet

Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4,6 pikë përqindje, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me -3,7 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -3,6 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqim, pije, duhan” me +0,5 pikë përqindje.

Gjatë këtij gjashtëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Rusia (43,5 %), Mbretëria e Bashkuar (167,0 %) dhe Ukraina (61,7 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-20,2 %), Greqia (-10,7 %) dhe Turqia (-6,7 %).

Shkurt 2020

Eksportet 24 mld lekë, rritje me 7,5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë

Importet 52 mld lekë, duke u rritur me 3,5 %, në krahasim me një vit më parë

Mars 2020

Eksportet 18 mld lekë, duke u ulur me 36,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 29,0 %, në krahasim me Shkurt 2020.

Importet e mallrave arritën vlerën 42 mld lekë, duke u ulur me 25,4 %, në krahasim me një vit më pare dhe me 19,3 %, në krahasim me Shkurt 2020.

Prill 2020

Eksportet 15 mld lekë, duke u ulur me 44,4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 16,5 %, në krahasim me Mars 2020.

Importet 36 mld lekë, duke u ulur me 36,7 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 18,3 %, në krahasim me Mars 2020.

Maj 2020

Eksportet 21 mld lekë, duke u ulur me 22,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 43,8 %, në krahasim me Prill 2020.

Importet 45 mld lekë, duke u ulur me 24,2 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 22,9 %, në krahasim me Prill 2020.

Qershor 2020

Eksportet 23 mld lekë, duke u ulur me 9,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 7,3 %, në krahasim me Maj 2020.

Importet 52 mld lekë, duke u ulur me 2,8 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 16,1 %, në krahasim me Maj 2020.

Janar-qershor 2020

Eksportet 125 mld lekë, duke u ulur me 17,7 %, krahasuar me një vit më parë

Importet e mallrave arritën vlerën 271 mld lekë, duke u ulur me 14,6 %, krahasuar me një vit më parë

Importi i drithit, në minimumin historik

Stoku i prillit dhe majit po na “mban” me bukë.

Pas rritjes së ndjeshme gjatë muajve të izolimit si pasojë e pandemisë globale, importi i drithit në vendin tonë ka pësuar një rënie të ndjeshme gjatë qershorit. Të dhënat e tregtisë së jashtme nga Instituti i Statistikave tregojnë se qershori është muaji me importin më të ulët të drithit në peshë në histori, që prej publikimit të të dhënave të detajuara nga instat, në terma sezonalë, pra krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të kaluara.

Bëhet fjalë për vetëm 607 milionë lekë importe, nga rreth 1 miliardë në muajin maj dhe rreth 991 milionë në prill. Në terma vjetorë rritja fiksohet në masën 63%, dhe në terma mujorë në 69.6%. Edhe në vlerë, është thuajse rekord, pasi vetëm në qershor të 2005 dhe 2006 vlera ka qenë më e lartë. Rënia e ndjeshme e importeve duket të jetë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e faktit që gjatë muajve të karantinës u importuan sasi rekord, deri në dyfishim gjatë prillit. Rënia e importeve gjatë qershorit tregon se, po konsumojmë stokun e krijuar gjatë karantinës. Gjatë karantinës, detyrimi ligjor për të rritur rezervat por edhe frika e një mbyllje të tejzgjatur bëri që të importoheshin sasi rekord, sidomos nga Rusia. Kërkesa për drith në vend mbulohet në masën 65% nga prodhimi vendas dhe 35% nga importi.

Në qershor “plasi” peshku

Pavarësisht pandemisë, rekord importesh. Shifra e tretë më e lartë në histori.

Importi i peshkut dhe produkteve nënujore ka kaluar shifrën e 1 miliardë lekëve gjatë qershorit. Kjo është hera e tretë në histori që këto produkte kalojnë nivelin e 1 miliardë lekëve importe në muaj. Kështu, të dhënat e qershorit flasin për rreth 1 miliardë lekë importe, nga 776 milionë lekë të muajit paraardhës dhe 798 milionë lekë të qershorit të vitit paraardhës. Në terma vjetorë rritja fiksohet në masën 25%.

Vetëm dy muaj të tjerë në histori, që prej raportimit të të dhënave të tregtisë së jashtme të detajuara nga Instituti i Statistikave, kjo shifër ka qenë më e lartë; në korrik të 2018-ës dhe në qershor të 2017-ës, me 1.15 dhe 1.1 miliardë lekë respektivisht. Të dhënat e Instat flasin gjithashtu për një rënie të ndjeshme të eksportit të këtyre produkteve, në masën 48% në terma vjetorë. Të dhënat përkthehen në një rritje të ndjeshme të kërkesës së brendshme për këto lloj produktesh. Rritja e kërkesës vjen pavarësisht situatës së rëndë që po kalon ekonomia vendase, konsumi dhe sidomos sektori i turizmit si pasojë e pandemisë globale.