MENU
klinika

Deri në 4 paga për individ dhe sigurimet e detyrueshme

Punësim për të papunët nga COVID-19

05.08.2020 - 15:15

Të gjithë personat, të cilët kanë mbetur të papunë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19 nga data 10 mars deri në datën 23 qershor 2020 dhe janë në kërkim të një vendi pune do të mbështeten nga qeveria përmes programit të nxitjes së punësimit.

Vendimi ka hyrë në fuqi dhe përcakton procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e këtij programi. Konkretisht, sipas vendimit, fondet do të vendosen në dispozicion për bizneset aplikuese të cilat duhet të jenë të regjistruara, të kenë paguar detyrimet tatimore konform ligjit, të mos kenë shkelur legjislacionin tatimor, të ofrojnë punë me kohë të plotë, për një minimum prej 40 orësh në javë, me një pagesë mujore jo më pak se paga minimale, si dhe të mos jetë jenë debitorë.

Programi i punësimit është 4, 8 ose 12-mujor, në të cilin profili dhe nevojat e punëkërkuesit përshtaten me vendin e lirë nga punëdhënësi.

Ndërsa paga përcaktohet në kontratën e punës, në përputhje me pozicionin përkatës dhe nivelin e pagave në treg. Programi subvencionon, për punësimin katërmujor, pagën minimale për 2 muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, dhe kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit. Për punësimin 8 mujor, pagën minimale për 4 muaj dhe kontributet, dhe për programin 12 mujor, mbulon vetëm kostot e sigurimeve të detyrueshme përgjatë gjithë periudhës.

Ky program aplikohet çdo vit, por këtë vit është i orientuar tërësisht në reduktimin e pasojave të lëna nga COVID-19.