Mbron portën e Milanit që në moshën 17 vjeçare dhe tashmë ka mbi 200 ndeshje të luajtura si profesionist. Gianluigi Donnarumma është unik “në llojin e tij”, në të gjitha kampionatet e botës, nëse merret fakti se është ende vetëm 21 vjeç dhe se në këtë moshë zakonisht portierët quhen ende të papjekur…
Por, ajo që habit më shumë është fakti se portieri kuqezi, me penalltinë e pritur ndaj Maronit në Sampdoria-Milan, është i vetmi në rolin e tij që ka neutralizuar më shumë 11-të metërsha këtë sezon, duke konsideruar të gjitha kompeticionet.
Janë pesë penallti të pritura, duke nisur nga Federico Chiesa dhe vazhduar me Babacar, Cristiano Ronaldo, Ruslan Malinovsky dhe Gonzalo Maroni. Ndërkohë, nëse kjo shifër hapet në diapason 4-vjeçar, atëherë janë 12 penallti nga 33 që ka marrë kundër.
Pa harruar “clean sheets” që këtë sezon janë 12 (pra, porta e paprekur). Ka edhe një mesatare tjetër e cila është po kaq e rëndësishme dhe ka të bëjë me të paktën 2-3 pritje deçizive çdo ndeshje (mesatarja). Praktikisht, në 30% të rasteve, Milani është shpëtuar nga portieri brenda një ndeshje futbolli…