Dy skuadra në NBA janë vetëm një fitore larg për të kaluar në fazën tjetër. Los Angeles Clippers rimerr kryesimin në serinë e çerekfinaleve të Konferencës së Perëndimit në fazën play off.
Skuadra kalifoniane triumfoi me rezultatin 130-122 ndaj Dallas Mavericks në ndeshjen e tretë mes tyre të zhvilluar në Orlando dhe tashmë kryeson serinë me rezultatin 2-1.
Diferencën në këtë sfidë e bëri i përhershmi Kawhi Leonardo, i cili koleksionoi në total 36 pikë 9 rebound dhe 8 asiste, ndërkohë për skuadrën teksane ishin të pamjaftueshme 34 pikët dhe 13 topat e rikuperuar poshtë tabelës nga Kristaps Porzingis.
Hodhi një hap të sigurt drejt kualifikimit Boston Celtics që fitoi edhe ndeshjen e tretë ndaj Philadelphia 76ers, duke e çuar në 3-0 serinë mes tyre. Skuadra më e titulluar e NBA fitoi me rezultatin 102-94 duke iu falur edhe 45 pikëve të realizuara nga dyshja Walker-Brown.
Shumë e thjeshtë për Toronto Raptors sfida e tretë ndaj Brooklyn Nets me skuadrën kanadeze që fitoi lehtësisht me rezultatin 117-92. Për ta çuar në 3-0 serinë ndaj skuadrës nju-jorkeze, Toronto u ndihmua nga paraqitja e shkëlqyer e Pascal Siakam me kamerunasin që realizoi 26 pikë.
Mori kryesimin e serisë në 2-1 në Perëndim Utah Jazz që fitoi me rezultatin e thellë 124-87 ndaj Denver Nuggets. Tre basketbollistë të Jazz shënuan mbi 20 pikë, me Cloney më i miri me 27 pikë.
KONFERENCA E LINDJES – ÇEREKFINALE PLAY OFF
Milwaukee Bucks – Orlando Magic (1-1)
Toronto Raptors – Brooklyn Nets 117-92 (3-0)
Boston Celtics – Philadelphia 76ers 102-94 (3-0)
Miami Heat – Indiana Pacers (2-0)
KONFERENCA E PERËNDIMIT – ÇEREKFINALE PLAY OFF
Los Angeles Lakers – Portland Blazers (1-1)
Los Angeles Clippers – Dallas Mavericks 130-122 (2-1)
Denver Nuggets – Utah Jazz 87-124 (1-2)
Houston Rockets – Oklahoma City Thunder (2-0)