MENU
klinika

SHBA/ U hapën 1.8 milionë vende pune

Rastet e reja me COVID-19 ngadalësojnë ritmin e punësimeve

07.08.2020 - 16:29

Në muajin korrik në Shtetet e Bashkuara u hapën mbi 1.8 milionë vende pune, shifër më e ulët sesa ajo që u vu re në muajin maj dhe qershor dhe një provë se rastet e reja me koronavirus po ngadalësojnë ritmin e punësimeve dhe atë të ringritjes së ekonomisë.

Ndërsa numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19 vazhdon të rritet në pjesën më të madhe të vendit, bizneset ndodhen nën presion të vazhdueshëm dhe shumë punëdhënës duket se po ngurojnë të punësojnë njerëz.

Sipas një raporti të Departamentit të Punës lëshuar të premten edhe duke llogaritur punësimin e tre muajve të fundit, ekonomia ka rikuperuar vetëm rreth 42 për qind të 22 milionë vendeve të punës që u mbyllën si pasojë e recesionit të shkaktuar nga pandemia.

Shkalla e papunësisë ra në muajin korrik nga 11.1 për qind në 10.2 për qind, por vazhdon të jetë më e lartë sesa niveli i papunësisë që u shënua gjatë recesionit të 2008-2009-s.

Vala e re e virusit kanë bërë që shumë shtete të mbyllin bare e biznese të tjera për herë të dytë. Shumë konsumatorë kanë kufizuar blerjet, udhëtimet, të ngrënat nëpër restorante apo grumbullimet e mëdha.

Numri i vendeve të punës që u hap në muajin korrik ishte shumë më i ulët krahasuar me 4,8 milionë që u hapën në qershor apo 2.7 milionë në muajin maj, me disa ndryshime të vogla pas rishikimit të të dhënave.

Ekonomia po përpiqet të dalë nga situata e rëndë e krijuar nga pandemia duke shkaktuar një tkurrje të ekonomisë me rreth 33 për qind në tremujorin prill-qershor, rënia më e madhe tremujore e regjistruar ndonjëherë. Punëdhënësit kanë ulur fuqinë punëtore, konsumatorët shpenzimet dhe korporatat janë tërhequr prej zgjerimit të investimeve.

Ekonomia ka filluar që të rritet përsëri dhe shumë ekspertë kanë parashikuar një reagim të fortë në tremujorin korrik-shtator, megjithëse jo aq sa duhet siç thonë ata, për të kompensuar rënien marramendëse të tremujorit të dytë të këtij viti./VOA/