Për 3 muaj, Furnizuesi i Tregut të Lirë ka shpenzuar mbi 10 milion euro për blerje energjie, me qëllim plotësimin e nevojave për klientët që operojnë në treg të lirë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike vetëm për muajin gusht, janë shpenzuar rreth 6.1 milion euro, ndërkohë që blerjet janë ndarë në 2 lote, ku në lotin e parë çmimi mesatar me të cilin është siguruar energjia është 41.94 euro/ mwh, ndërkohë që për lotin e dytë ku është blerë edhe sasia më e madhe e energjisë, çmimi mesatar është më i lartë, duke arritur në 45.61 euro/mwh.
Çmimi mesatar me të cilin është siguruar energjia që do të lëvrohet gjatë muajit gusht është edhe më i lartë, në raport me sasinë e blerë për korrikun, ku u shpenzuan në total rreth 3 mln euro, me një çmim prej 40.85 euro/mwh. Ndërkaq, për plotësimin e nevojave të muajit qershor është blerë një sasi më e vogël energjie dhe janë shpenzuar rreth 1.54 mln euro.
Megjithatë, çmimi mesatar në këtë rast është ndjeshëm më i ulët nëse e krahasojmë me energjinë që nevojitet për gushtin, pasi ai rezulton rreth 10 euro më pak për mwh.
Furnizuesi I Trgeut të Lirë është një prej kompanive të krijuara nga ndarja e OSHEE-së, që ofron mundësinë e furnizimit me energji elektrike për të gjithë klientët e lidhur në rrjetin e shpërndarjes në nivelin e tensionit 35 kV, të cilët duhet të zgjedhin vetëm furnziuesin e tyre për shkak të liberalizimit të tregut.
Sipas legjislacionit palët lidhin një kontratë mes tyre, ku ndër të tjera do të vendosin edhe çmimi I negociuar mes tyre, me të cilin do të sigurohet energjia.