MENU
klinika

Njoftimi i Ministrisë së Infrastrukturës

Rruga e re Qukës-Qafë-Plloçë, kërkon edhe 24,5 mln euro shtesë

07.08.2020 - 10:16

Segmenti i ri prej 43 kilometrash i rrugës, Qukës Qafë-Plloçë kërkon edhe 24,5 milionë euro financime shtesë sipas burimeve zyrtare të  Ministrisë së Infrastrukturës që projekti të përfundojë.

Një rrëshqitje në shpatin e kilometrit 18 të aksit të ri kanë penguar përfundimin e në kohë të punimeve. Pas azhurnimeve të reja, inxhinieri që udhëhoqi punimet kërkoi financime shtesë në masën 20 milionë euro. Por për të përfunduar të gjithë segmentin duhen 24,5 milionë euro shtesë njoftoi Ministria e Infrastrukturës.

Ky aks nisi ndërtimin në vitin 2011, me një kosto të vlerësuar prej 180 milionë eurosh, ku 100 milionë euro ishin kredi të donatorëve dhe pjesa tjetër financime nga buxheti i shtetit. Ekspertët e transportit rrugor në vend thanë se ky është një investim i padobishëm pasi ka të njëjtën gjatësi me aksin aktual që lidh Tiranën me Korçën.

Eksperti tha se deri më tani rreth 200 milionë euro janë hedhur në një trase krejt të re, e cila nuk është as dy kilometër më e shkurtër se aksi ekzistues rreth 43 kilometra. Rruga e re kalon në një lartësi që arrin deri në 1300 metra mbi nivelin e detit dhe e bën të pamundur mirëmbajtjen e saj për periudhën e dimrit.

Ky është investim kryekëput gabim, tha eksperti, pasi rruga e re kalon në një terren më të vështirë se aktuali dhe për më tepër, ka të njëjtën gjatësi sa ajo aktuale.

Rruga ne 10 km e para kalon përgjatë lumit Shkumbin dhe me pas vazhdon në malësinë e Mokrës, zonë e cila njihet për si një zone me male të larta dhe të thepisura dhe për shkak te saj do të ndërtohen një numër i madh muresh mbajtës dhe pritës, me shume se 20 (njëzet) ura dhe viadukte si dhe një tunel 375 m i gjatë.

Rruga do te ketë gjerësi prej 12 m, nga te cilat 2 korsi me gjerësi 3.75 m secila (7.5 m total), 2 bankina te asfaltuara me gjerësi 1.5 m secila dhe 2 bankina të pa asfaltuara me gjerësi 1 m secila.

Projekti është ndarë ne 3 seksione ndërtimi, nga te cilat 2 seksionet e para do te financohen nga Banka Islamike për Zhvillim (IDB) dhe seksioni i tretë do të financohet nga Fondi Saudit për Zhvillim (SFD).

Teksa është mbushur plot një dekadë që punohet në këtë segment, punimet duket se do të shtyhen sërish për vitet në vijim pasi, vështirësia e terrenit ka nxjerrë kostot jashtë parashikimeve nga projektet teknike dhe ato zbatimit.