Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se shpërthimi masiv në Bejrut të Libanit mund të ketë qenë një sulm.

“Duket si një sulm i tmerrshëm”, tha Trump gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë.

Trump tha se ai ishte takuar me disa gjeneralë amerikanë, të cilët, sipas tij, mendojnë se “incidenti ishte një sulm”.

Megjithatë, zyrtarët libanezë kanë thënë se shpërthimi ka të ngjarë të ketë ndodhur për shkak të disa tonë kimikateve, që ishin ruajtur në kushte të këqija, në një depo pranë portit të qytetit të Bejrutit.

Shpërthimi la të vrarë të paktën 100 njerëz dhe mijëra të tjerë të plagosur. Autoritetet kanë thënë se numri i viktimave mund të jetë më i lartë.

Incidenti shkaktoi dëme të shumta materiale, duke e bërë qytetin e Lindjes së Mesme të ngjante me një zonë të luftës. Ministri i Shëndetësisë, Hamad Hassani tha se numri i viktimave pritet të rritet.

Shpërthimi vjen në një kohë të ndjeshme për Libanin. Vendi po përballet me një krizë ekonomike, pandeminë e koronavirusit dhe demostrata masive kundër varfërisë.

Tensionet janë gjithashtu të larta pasi të premten, një gjykatë e Kombeve të Bashkuara, pritet të nxjerrë aktgjykimin e saj ndaj katër të dyshuarve për vrasjen me makinë bombë të ish-kryeministrit, Rafik Hariri. Ai ishte vrarë më 2005.

Presidenti Libanez Michel Aoun i bëri thirrje kabinetit qeveritar që të shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Bejrut për një periudhë dyjavore pas shpërthimit masiv të së martës që shkatërroi pjesën më të madhe të portit të qytetit. Nga shpërthimi u vranë të paktën 70 njerëz dhe u plagosën më shumë se 3.500 të tjerë.

Megjithëse shkaku zyrtar i shpërthimit është i panjohur, Presidenti Aoun në një postim në Twitter tha: “Unë nuk do të jem i kënaqur derisa ta gjejmë personin përgjegjës për atë që ndodhi dhe ti japim dënimin më të rëndë, sepse është e papranueshme që një dërgesë e nitrat amonit që vlerësohet se peshonte 2750 tonë të ketë qenë e pranishme për 6 vjet në një depo pa marrë masa parandaluese për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve.”

Kryeministri Hassan Diab u takua të martën mbrëma me Këshillin e Lartë të Mbrojtjes, duke shprehur mbështetjen e tij për ata që ai i quan “dëshmorë” dhe një shërim të shpejtë për të plagosurit. Ai gjithashtu bëri thirrje për formimin e një komisioni hetimor.

Diab e ka shpallur të mërkurën një ditë zie në Liban.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN