Një ditë para ndeshjes Tirana-Crvena Zvezda, trajneri serb Dejan Stankoviç, ka zhvilluar sot konferencën për shtyp, duke vlerësuar bardheblutë për mënyrën e lojës.
Tekniku ka pranuar se fakti që njerëzit e shohin këtë si një duel Shqipëri-Serbi përtej futbollit, ishte i pashmangshëm, por ai nuk e kishte mendjen te këto gjëra, vetëm te ndeshja e cila sipas tij po luhej në kushte ku nuk kishte tension.
“Jemi një skuadër që përshtatet shpejt, duhet pak durim, objektivi ynë është të fitojmë. Ne kemi ardhur këtu të luajmë futboll dhe asgjë më shumë, nuk më interesojnë gjërat e tjera. Nëse mendoj se është fundi i botës nëse do të humbnim këtë ndeshje, atëherë do ta quaja veten humbës.
Futbolli është luajtur shumë më para kësaj ndeshje, do të luhet edhe pas saj. Më vjen keq që nuk do të këtë tifozë, ata janë një pjesë e rëndësishme e futbollit. Unë uroj që të kthehemi sa më shpejt të jetë e mundur në normalitet.
Njerëzit e shohin si Shqipëri-Serbi jashtë futbollit? Nuk mund t’i shmangemi asaj. Ne kemi analizuar kundërshtarin, jemi përgatitur mendërisht. Shpresoj që të jemi gati për ndeshjen në mënyrën e duhur.
Tirana është rivali ynë, këtë e përcaktoi shorti. Mendoj se di mjaftueshëm për mënyrën se si luan Tirana. Kjo është skuadër e organizuar, një skuadër shumë e mirë.
Me aq sa munda që të shoh nga Tirana dhe të bëj një xhiro, pashë se kishte shumë tifozë të Interit të cilët dëshironin të më flisnin dhe bënim foto. Por në këtë moment kam në mendje vetëm Zvezdën. Këtu nuk kam ndjerë asnjë lloj trysnie. Jemi të gatshëm për çdo skenar në fushën e lojës.
Nuk di shumë gjëra për futbollin shqiptar. Di që trajnerët ishin De Biasi dhe Panucci, njoh edhe disa lojtarë shqiptarë që luajnë në Europë dhe kaq”, – ishin fjalët e Stankoviç në konferencë, duke mos i dhënë kontest tjetër përvecse një ndeshje të fortë në futboll.