MENU
klinika

Paralajmërimi i Grenell

Takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë?

14.08.2020 - 07:11

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell deklaroi se udhëheqësit e dy vendeve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për bisedime më 2 shtator.

Ambasadori Grenell e bëri njoftimin të enjten në “Twitter”, por nuk dha hollësi të tjera.

Një takim në Shtëpinë e Bardhë ishte paralajmëruar edhe për 27 qershor, por i cili nuk u mbajt pasi Prokuroria e Specializuar në Hagë njoftoi se kishte paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Pavarësisht anulimit të takimit të 27 qershorit në Uashington, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian rinisën dialogun.

Më 16 korrik në Bruksel u takua kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Në këtë takim u tha se palët biseduan për çështjen e të pagjeturve, zhvendosurve dhe për çështje ekonomike.

Hoti ka insistuar se në dialog Kosova shkon vetëm për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve.

Krahas dialogut në nivelin politik, në Bruksel kanë nisur edhe takimet në nivel ekspertësh mes dy palëve. Në këto bisedime, Kosova përfaqësohet me Koordinatorin shtetëror për dialog, Skender Hyseni ndërsa pala serbe me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Kosova insiston se ky nuk është dialog në nivel teknik, por se aty, delegacionet do të punojnë në draftimin e një marrëveshjeje finale për normalizimin e marrëdhënieve.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky dialog u ndërpre në fund të vitit 2018 për shkak të vendosjes së një takse nga Qeveria e Kosovës ndaj importeve serbe.

Kjo masë më pas u zëvendësua me reciprocitet, por Qeveria Hoti hoqi reciprocitetin, duke thënë se me heqjen e kësaj mase, po i jepet shans rikthimit të dialogut.

Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat