Dollari ka vazhduar të dobësohet në sesionin e fundit tregtar, duke i’u afruar rënies më të madhe mujore në 1 dekadë, ndërkohë që investitorët po shqetësohen mbi rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane, për shkak të pandemisë.
Zhvlerësimi i valutës amerikane ka nxitur euron, ndërkohë që valuta e përbashkët u rrit në 1.19 USD, që është niveli më i lartë që prej Majit 2018. Euro ka regjistruar gjithashtu rritjen më të madhe mujore që prej Shtatorit 2010.
Besimi tek dollari u dobësua më tej pasi presidenti Donald Trump tha këtë javë se ekziston mundësia që të shtyhen zgjedhjet presidenciale të Nëntorit. Kjo erdhi në të njëjtën ditë kur u publikuan te dhënat për një tkurrje të Produktit të Brendshëm Bruto me 32.9% në tremujorin e dytë, që është treguesi më i keq që prej Depresionit të Madh.
Indeksi i dollarit preku 92.54 në sesionin e fundit tregtar të javës, një nivel që është parë për herë të fundit në Maj 2019. Për muajin Korrik, valuta e gjelbërt ka rënë me rreth 5%, me pjesën më të madhe të rënies që ka ndodhur në 10 ditët e fundit, ku rastet e reja me koronavirus janë rritur bindshëm në shumë shtete.