Vendi i 12-të në garën e zhvilluar dje në pistën e Silverstone ka thelluar edhe më shumë hendekun mes pilotit gjerman Sebastian Vettel dhe Ferrarit. Drejtuesit e “kokëkuqes” nuk e kanë mirëpritur këtë rezultat të pilotit gjerman, që nga ana e tij ka hedhur kritika për strategjinë e ndjekur.
“Strategjia nuk ishte e mirë, pasi bëmë atë që duhej të evitonim. Nuk e di se çfarë kanë menduar ata në ato momente”, – tha Vettel, që pati edhe një manovër jot ë mirë në llim e garës, ku u rrotullua në vend.
Ndërsa Mattia Binotto, shefi i Ferrarit, replikoi: “Nuk e penalizuam me faktin që e futëm më shpejt në bokse. Gara e tij u kompromentua që në startin e saj dhe nuk ishte strategjia ajo që e penalizoi”.
Mediet italiane bëjnë me dije se kjo marrëdhënie e tensionuar mes pilotit dhe skuadrës mund të sjellë një divorc të parakohshëm. Vettel do të largohet nga Ferrari në fund të sezonit, por nëse rezultatet e tij janë ende zhgënjyese, lamtumira mund të vijë që në shtator.