Artan Hoxha, ka bërë sot një shkrim në mbrojtje të Ylli Ndroqit. Sipas tij, goditja ndaj këtij të fundit, në fakt është një goditje ndaj medies.
Shkrimi i Artan Hoxhës
Me zhurmë e bujë SPAK sekuestroi të gjitha pronat e Ylli Ndroqit: ara, troje e pyje; apartamente e vila; automjete të llojeve te ndryshme; aksione e kuota në shoqëri.
Policia e Rilindur dhe SPAK i sapolindur nga hiri i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndjesë pastë, djersinë 18 muaj për të nxjerrë gjendjen penale dhe atë pasurore të Ylli Ndroqit, alias Xhemail Pasmaçiu.
Se ç’bënë 18 muaj, një dreq e di se, për të bërë këtë punë do të mjaftonin 18 ditë punë, në fakt edhe 18 orë punë, pasi të gjitha të dhënat janë të regjistruara në regjistrat publikë, tashmë edhe elektronikë.
Dy pronat më të njohura të Ylli Ndroqit, dy kanalet televizive Ora dhe Ora Neës, u morën nën sekuestro nga shteti shqiptar me prezencën e shtuar të forcave speciale policore në mjediset e televizioneve a thua se po merrnin nen kontroll ndonjë bazë të rrezikshme të “Shtetit Islamik” a të “Mafies Siçiliane” e jo dy medie të mirënjohura e të lëvdueshme për punën e tyre, televizione të hapura për të gjitha rrymat, si rregull kritike konstruktive ndaj pushtetit të radhës, mbështetëse të pakursyera ndaj opozitës së radhës.
Aksioni penal i SPAK/Policisë së Shtetit, u bazua në të shkuarën e largët të Ylli Ndroqit, një arrestim i tij në vitin 1998 për çështje droge në Turqi si dhe një tjetër arrestim, i pretenduar nga SPAK, por i mohuar me dokumente italiane nga avokatët e Ylli Ndroqit, në vitin 2015 në Itali për llogari të një trafiku të pretenduar droge në vitin 2004, e që sipas gjykatës italiane “nuk ekziston si fakt”.
Ky “arrestimi i dytë”, nëse rezulton i sajuar apo i keqpërdorur, sa për të vënë në veprim, me shume sforco, ligjin nr. 10192, datë 3.12.2009, ndryshe “ligji antimafia”, meqë ky nuk ligj ka efekt prapaveprues, do të ishte një skandal i përmasave stratosferike.
Natyrisht që ngjarja do marrë udhën e saj gjyqësore e, në varësi të fakteve e provave, herët e vonë drejtësia do të vihet në vend. Uroj që drejtësia të jetë e qartë dhe e shpejtë e pa gjoba marramendëse si ajo e rastit “Beketi” dhe televizionit të tij “AGON”, për të cilin, për shkak të vullnetit të mbrapshtë të qeverisë rilindase dhe ndërhyrjes brutale të shtetit – qeveri, prokurori e gjykatë – sot na duhet të paguajmë një gjobë prej 110 milionë euro.
Por, rasti në fjale tërheq vëmendjen për kuptimin dhe zbatimin e instrumenteve të posaçme ligjore dhe institucionale të luftës kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit (dhe disa krimeve të tjera të rënda) për të cilën dikur u ngrit Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, tashmë e quajtur Gjykatë dhe Prokurori Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – SPAK – përfshirë Byronë Kombëtare të Hetimit.
Qëllimi i “ligjit antimafia” është parandalimi ose goditja e këtyre krimeve përmes sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë të personave që kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, vënë si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale.
Qëllimi i ligjit është i qartë, ai i parandalimit ose goditjes së krimit të organizuar, trafikut, korrupsionit dhe krimeve të tjera të përcaktuara në “ligjin antimafia”. Mjeti është ai i veprimit sekuestrues dhe konfiskues mbi pasuritë e këtyre personave të rrezikshëm, pasuri që dyshohet se janë vënë nga kjo veprimtari, ndërsa dyshimi bazohet, krahas veprimtarisë kriminale, edhe në nivelin e pajustifikueshëm ekonomik të pasurisë së këtyre personave.
Gjithashtu, sipas këtij ligji, sekuestrimi mbi pasuritë vendoset jo vetëm kur ka indicie për veprimtarinë kriminale të personit në fjalë dhe dyshime mbi burimin e pasurisë, por kur njëherazi plotësohet një nga dy kushtet: i) ka rrezik real për humbjen, marrjen apo tjetërsimin e pasurive; ii) ka dyshime të arsyeshme se pasuritë rrezikohen ose ndikohen ose përdoren nga organizata kriminale.
Deri në këtë moment, mbi ç’ka deklaron SPAK/Policia e Shtetit nga njëra anë, dhe avokatët e Ylli Ndroqit nga ana tjetër, rezulton se akti i sekuestrimit, pra mjeti, është bërë qëllim në vetvete, ndërsa nuk po i shërbehet asfare qëllimit të vërtetë të “ligjit antimafia”.
Cila është organizata kriminale me në krye Ylli Ndroqin, veprimtaria e të cilës duhet goditur apo parandaluar? Çfarë aktesh ka kryer apo ka vijuar të kryejë kjo organizatë apo ky person? Ç’pjesë e kësaj pasurie u lidhkërka me veprimtarinë e shumë viteve më parë kur secila pjesë e kësaj pasurie ka historinë e vet shumëvjeçare të krijimit e zhvillimit deri në ditën e sotme, zhvillim në të cilin, përveç kapitalit fillestar të pronarit, ka kontribuar puna edhe vlera e shtuar e stafeve? Ç’lidhje kanë me “veprimtarinë e supozuar kriminale” apartamenti i fituar që nga koha e komunizmit apo pasuritë e blera me kredi?
Po dy televizionet që kanë qenë nën mbikëqyrjen e shumëfishtë të organeve shtetërore, qofshin tatimore apo të autoritetit të mbikëqyrjes televizive, si buruakan nga “veprimtaria e largët e dyshuar kriminale” e Ylli Ndroqit? Po puna, talenti e përkushtimi 24 orë në dite e 7 ditë në javë i një ekipi të madh gazetarësh, operatorësh, moderatorësh dhe stafi tjetër nuk ka krijuar fare vlerë të shtuar?
Çfarë rreziku të qenësishem paskërka për tjetërsimin a humbjen e kësaj pasurie, e gjitha e regjistruar ne regjistrat e shtetit, përfshirë çdo veprim të shkuar a në të ardhmen mbi këto pasuri? Aq më shumë, cila qenkërka organizata kriminale që po rrezikon a po përdor këto pasuri, televizionet në radhë të parë? Në ç’masë e me çfarë qëllimi?
Këto e pyetje të tjera lindin natyrshëm në raste sekuestrimesh të këtilla, rrufe, toptan e të sforcuara, e që koha ka treguar se në shumë raste kanë qenë të pabaza, në abuzim të kompetencës ligjore të dhënë. Por, në rastin kur në çështje implikohen edhe dy medie të rëndësishme televizive dhe qëndrimet editoriale opozitare të tyre me qeverinë aktuale rilindëse, çështja bëhet shumë e shumë më sensitive.
Sistemi i gjykatave dhe prokurorisë speciale dhe i “ligjit antimafia” është një devijancë e natyrës së pazakontë nga koncepti klasik i të drejtës penale – ai i barrës së provës mbi supet e shtetit, përfshirë vërtetimin e origjinës së pasurisë nga krimi.
Ky devijim, bërë lidhur vetëm dhe vetëm me origjinën e pasurisë, është bërë për një qëllim tejet të lartë – atë të luftës së suksesshme të demokracisë dhe shtetit ligjor ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky qëllim komprometohet rëndë kur kompetenca devijante e dhënë keqpërdoret qëllimshëm, nga paaftësia apo të dyja bashkë.
Disa raste të këtilla, dhe rrënimi i besimit te këto instrumente speciale është fare pranë. Nëse këtu shtojmë edhe urdhër – arrestet për të vdekurit, rrënimi është as një hap larg. Nga ky rrënim nuk ka shpëtim as me deklarata mbështetese ambasadorësh kushdoqofshin.
Do të ishte një rrënim i çuditshëm gjithashtu, pa lindur ende mirë.