MENU
klinika

COVID-19

A mund ta humbin vendet e vogla programin global të vaksinave?

22.09.2020 - 15:17

I menduar si një projekt për të ndihmuar botën për t’u përballur si një trup i vetëm me Covid-19, Aleanca Globale e Vaksinave deri më tani ka siguruar pajisjen me vaksina për rreth 170 vende, por mbrapa këtyre skenarëve disa kombe të vogla mund të përballen me mungesën, e vaksinës për një sërë arsyesh.

Aleanca e Vaksinave, Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (Cepi) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, u bashkuan në Prill “për të siguruar qasje në vaksinat e sigurta dhe efektive për Covid-19, përmes një portofoli të përbashkët.

Duke marrë nga këto vaksina të ndryshme, të cilat pritet të ndryshojnë për sa i përket efikasitetit të tyre, struktura synon të japë të paktën dy miliardë doza tek anëtarët pjesëmarrës deri në fund të vitit 2021.

Sipas planit, vendet më të pasura që angazhohen për iniciativën do të duhet të paguajnë për të siguruar doza të miratuara, ndërsa 92 kombe me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të mbështeten përmes aleancës për t’u siguruar që ata mund të vaksinojnë popullatat e tyre. Në fazën e parë të programit, vaksinat do t’u ofrohen të gjitha vendeve anëtare për të vaksinuar punëtorët e kujdesit shëndetësor dhe social. Pas kësaj, dozat do të vazhdojnë të shpërndahen ndërsa prodhohen, derisa të gjitha vendet të jenë në gjendje të vaksinojnë 20 përqind të popullsisë së tyre.

Megjithëse skema është mirëpritur gjerësisht si një zgjidhje për nacionalizmin e vaksinave, disa qeveri dhe aktivistë të shëndetit kanë paralajmëruar se aspekte të caktuara të projektit janë të pabarabarta dhe mund të shërbejnë për të përfituar kombe më të pasura ndryshe nga vendet me të ardhura më të ulëta.

Shqetësimi është nënvizuar lidhur me një model pagese që u mundëson anëtarëve më të pasur të zgjedhin vaksinat e tyre, ndërsa një mekanizëm shkëmbimi që lejon kombet të shkëmbejnë dhe të tregtojnë doza mund të ndodhë pa u kuptuar. Ka pasur gjithashtu thirrje për transparencë më të madhe, me disa kombe, të tilla si Afrika e Jugut dhe Filipinet, të cilat ende janë duke pritur përgjigje nga Aleanca e Vaksinave për t’u bërë pjesëmarrëse.

“Ka shumë pyetje për të cilat nuk kemi zgjidhje, veçanërisht për kushtet që duhet të plotësojnë vendet. Ekziston një pasiguri me madhe për të cilën jemi të shqetësuar,” tha Anban Pillay, zëvendës drejtor i përgjithshëm i departamentit të shëndetit të Afrikës së Jugut.

Sipas ekspertëve të shëndetësisë në Britani, mënyra se si industria e farmaceutikës punon është shqetësuese, sepse ata furnizojnë vendet që ofrojnë më shumë dhe i japin një vëllim më të ulët tregut.

Cepi, e cila merret me furnizimin, thotë se hulumtimi i tij “tregoi se kapaciteti global i prodhimit është i disponueshëm edhe për shtetet që janë siguruar tashmë përmes marrëveshjeve dypalëshe”.

“Ne kemi marrëveshje kontraktuale me një numër kompanish në portofolin tonë që ofrojnë vëllime ose përqindje të garancisë së prodhimit të tyre. Nëse do të shiten pjesa e të tjerëve atëherë kështu ata shkelin kontratën,” shtoi zëdhënësi i Cep.

Sipas Kate Elder, një këshilltare e politikave të vaksinave në Medecins Sans Frontieres (MSF) thotë se kjo nuk u jep shumë kohë qeverive për të vendosur nëse do të angazhojnë apo jo miliona para për një iniciativë që përfshin shumë rreziqe.

Elder thotë se ndryshimet në skemë janë bërë vazhdimisht duke shtuar se autoritetet e kanë bërë tërheqëse këtë nismë, por po financojnë vetëm vendet e mëdha dhe ato do të përfitojnë.

Pavarësisht shqetësimeve, Covax Facility është pranuar gjerësisht si e vetmja zgjidhje globale për t’i dhënë fund fazës akute të pandemisë. Në një kohë të rritjeve të rasteve kompania ofron një qasje të unifikuar dhe të koordinuar për të ofruar akses në vaksinat Covid-19.

Me kalimin e afatit të fundit për nënshkrimin e iniciativës dhe shlyerjen përfundimtare, ka shpresë në rritje që Facility do të përmbushë kapacitetet e kërkuara.(The Independent, “Si”)