MENU
klinika

Pandemia e "gjunjëzoi" biznesin

Anketat/ Mbi 88 për qind e fasoneve në vështirësi

18.09.2020 - 15:18

Afro 88.4 për qind e fabrikave të veshjeve dhe të këpucëve në vendin tonë shprehen pandemia COVID-19 a ndikuar shumë negativisht apo negativisht në biznesin e tyre. Këto janë rezultatet e anketës së zhvilluar nga shoqata “Pro-Eksport Albania” zhvilloi me anëtarët e saj.

Ndërkohë që efektet e pandemisë vijojnë të rëndojnë mbi punën e këtij sektori. Ndër problemet më të mëdha që hasin sot prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve në vend janë rritja e kostove, ulja e prodhimit, mungesa e likuiditetit dhe mungesa e klientëve. Ndërkohë që 64.1 për qind shprehen se po vijojnë punën me kapacitet të kufizuar gjatë kësaj kohe dhe vetëm 28.2 për qind i janë kthyer punës e kapacitet të plotë.

Referuar anketimit, edhe pse aktivitet ekonomike rifilluan pas periudhës së karantinës, përgjatë muajve të verës Qershor-Gusht, kompanitë e veshjeve dhe këpucëve shprehen se kanë pasur rënie të të ardhurave në nivelin 49.9 për qind. Ndërkaq, afro gjysma e fasonëve shprehen se politikat e ndjekura nga qeveria gjatë kësaj periudhe nuk kanë pasur asnjë ndikim në vijimin e aktiviteti të tyre. Nga ana tjetër edhe pritshmëritë nuk janë pozitive, pasi për afro gjysma e kompanive nuk kanë kontrata të qarta me klientët për muajt në vijim.

Anketimi i “Pro-export” është kryer me një kampion prej 100 sipërmarrjesh të mëdha, të mesme dhe të vogla të sektorit, që përfaqësojne 14,5% përqind të totalit të 700 fabrikave të regjistruara me status aktiv.