MENU
klinika

Publikohen dokumentet sekrete të qeverisë

“Bankat e mëdha ndihmojnë në pastrimin e parave”

23.09.2020 - 15:21

Disa nga bankat më të mëdha në botë kanë ndihmuar kriminelë të ndryshëm, për të lëvizur paratë e krijuara nga aktiviteti kriminal për thuajse dy dekada me radhë.

Kështu bëjnë të ditur studimet e fundit pas publikimit të disa dokumenteve që supozohej të ishin sekrete të qeverisë amerikane.

Dokumentet përfshinin më shumë se 2000 Raportime për aktivitete të dyshimta (një raportim që bankat bëjnë drejt autoriteteve të drejtësisë amerikane kur kanë dyshime për transaksionet që po kryejnë), ku jepeshin detaje për transaksione mundësisht korruptive me vlerë rreth 2 trilionë dollarë, brenda sistemit financiar amerikan.

Sipas dokumenteve të publikuara, bankat u kanë ofruar shërbime financiare individëve me rrezik të lartë përfshirjeje në aktivitete kriminale. Në këtë skemë janë të përfshira 5 banka botërore, si JPMorgan, HSBC, Standard Chartered, Deutsche Bank dhe Bank of New York Mellon.

Dokumentet u siguruan fillimisht nga BuzzFeed News, e më pas u publikuan nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë.

Mes individëve dhe organizatave të përfshira në këto transaksione janë oligarkë rusë, organizata terroriste, kartele droge dhe shumë individë të përfshirë në skema mashtrimi me qeveri të ndryshme.