Mekanizmat aktualë nuk mundësojnë një kontroll të mirë të impaktit që industria nxjerrëse dhe ajo hidroenergjetike ka në mjedis”. Në këtë përfundim ka arritur një vlerësim i realizuar nga projekti “Vëzhguesi Rural”, i financuar nga Bashkimi Evropian. Sipas këtij vlerësimi, rehabilitimi mjedisor ndodh rrallë ose aspak, pasi biznesi i paguan detyrimet pranë pushtetit qendror, ndërkohë që asgjë nuk përfundon në nivel lokal për rehabilitimin real të dëmeve.
Gjithashtu, vlerësohet se kostot reale te rehabilitimit mjedisor janë më të larta se ato të parashikuara në kontratat me bizneset e industrisë nxjerrëse dhe asaj hidroenergjetike, ndërkohë që ka një mungesë transparence dhe informacioni mbi monitorimet rreth vendeve ku operojnë këto industri. Sipas vlerësimit, monitorimi realizohet nga vetë bizneset, që janë edhe shkaktarët e ndotjes, çka e bën shumë të vështirë identifikimin e fakteve për ekzistencën e ndotjeve në terren. Për pasoje vështirësohet edhe aksesi në drejtësi, çka do të çonte në parandalimin dhe minimizimin e ndotjes nëpërmjet rishikimeve nga Gjykata apo aksioneve ndreqëse.
Nga ana tjetër, vlerësimi nxjerr në pah se parimi “Ndotësi Paguan” është pjesë e legjislacionit shqiptar, por ka shume probleme në implementim, që vijnë si pasojë e mungesës së monitorimit mjedisor, si në nivel lokal ashtu edhe qendror. Për këtë arsye rekomandimet e kryera edhe nga ekspertë ndërkombëtarë kërkojnë që autoritetet shtetërore të zbatojnë këtë parimin për të gjithë kompanitë që operojnë në fushën e energjisë dhe industrisë nxjerrëse, duke i detyruar të marrin përgjegjësi në lidhje më dëmet që shkaktojnë në drejtim të ndotjes së ujit, tokës, ajrit apo zonave të mbrojtura.