MENU
klinika

“Mund t’i vrasim refugjatët, ose t’i mbytim me gaz”

Dalin përgjimet që i kushtuan postin zyrtarit të partisë së djathtë në Gjermani

28.09.2020 - 20:01

Partia e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD) shkarkoi të hënën një zyrtar, i cili ishte kapur në një kamerë të fshehtë duke folur për mbytjen me gaz të refugjatëve.

Në pamjet, të regjistruara nga televizioni ProSieben në muajin shkurt, Christian Lueth, në atë kohë zëdhënës i partisë, ishte filmuar në një kafene të Berlinit duke biseduar me dikë që ai besonte se ishte simpatizante, për sfidat me të cilat përballej AfD.

I pyetur nëse partia AfD dëshironte ardhjen e më shumë emigrantëve, ai përgjigjet: “Po. Sepse atëherë gjërat shkojnë më mirë për AfD. Ne gjithsesi mund t’i vrasim ata më vonë. Ose t’i mbysim me gaz, cilëndo metodë që të doni. Nuk më intereson se si!”

Gazeta Die Zeit tha se i ishin treguar pamjet, që ajo tha se ishin filmuar nga Lisa Licentia, një aktiviste e së djathtës, e cila kishte vendosur të largohej nga ekstremi i djathtë.

Sipas gazetës Die Zeit, nuk dukej se zoti Lueth po bënte shaka.

Media gjermane njoftoi të hënën se Lueth ishte shkarkuar si punonjës i grupit parlamentar të partisë. AfD hyri në parlamentin e Gjermanisë me zgjedhjet e vitit 2017 dhe tani është partia më e madhe që rivalizon me qeverinë e zonjës Angela Merkel, një koalicion i madh i së djathtës dhe i së majtës.