MENU
klinika

Konsorciumi që çon në arbitrazh qeverinë shqiptare

Edhe 100 milionë euro gjobë nga arbitrazhi?!

26.09.2020 - 12:06

Pas disa vendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar që e detyrojnë qeverinë shqiptare të paguajë qindra milionë euro dëmshpërblim ndaj kompanive kryesisht të huaja, së fundmi një çështje tjetër pritet të nisë.

Më 23 shtator konsorciumi “Durrës Kurum Shipping SH. P.K.” , që përbëhet nga një bashkim kompanish ndërkombëtare, ka depozituar një ankesë pranë në Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjes së Investimeve, ICSID (pjesë e grupit të Bankës Botërore) një ankesë ndaj qeverisë shqiptare.

Konsorciumi kërkon dëmshpërblim prej 100 milionë euro nga ekzekutivi shqiptar, për shkak të prishjes së një anëshme të kontratës koncesionare të terminalit të konteinerëve në Portin detar të Durrësit. Terminali u dha me koncesion në vitin 2011 për një periudhë 35-vjeçare konsorciumit të mësipërm dhe ishte një nga koncensionet më të mëdha të dhëna nga qeveria shqiptare, duke krijuar monopol në sektorin e përpunimit të kontenierëve.

Gjatë një viti në këtë port përpunohen rreth 100 mijë kontenierë dhe kosto e përpunimit për një të tillë është 211 euro. Por, në vitin 2017, Ministria e Transporteve iu drejtua gjykatës për prishjen e kontratës me pretendimin se koncensionari nuk kishte përmbushur kushtet e kontratës, duke nisur nga investimet e detyrueshme deri te përmirësimi i shërbimit për operatorët. Gjykata ka marrë vendimin në favor të autoriteteve shqiptare, dhe në muajin janar 2020 përmbarimi ka ekzekutuar këtë vendim, duke larguar përfundimisht nga Porti detari i Durrësit konsorciumin “Durrës Kurum Shipping SH. P.K.”.

Tashmë pritet që Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjes së Investimeve të vendosë datën e zhvillimit të procesit, ku konsorciumin e koncesionarit do të mbrojë një studio ligjore me qendër në Paris, ndërsa qeverinë shqiptare Avokati i Përgjithshëm i Shtetit.