MENU
klinika

Takimi i shumëpërfolur në Washington

Engel: Konflikti politik kërkon zgjidhje politike

03.09.2020 - 08:21

Udhëheqësi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, ka thënë se rikthimi i dialogut këtë javë në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë është hap pozitiv, ndonëse ka përmendur se zgjidhja përfundimtare duhet të përfshijë disa parime kyçe.

Teksa ka përmendur se konflikti në mes të këtyre dy shteteve ka zgjatur shumë dhe ka dëmtuar jetët e shumë personave, Engel ka thënë se dokumenti përfundimtar duhet të çojë drejt njohjes reciproke nga Kosova dhe Serbia.

Megjithatë, Engel ka shprehur dilema nëse mund të arrihet një gjë e tillë tani. “Presidenti serb, Aleksandar Vuçic, i cili është duke larguar vendin e tij nga komuniteti veriatlantik dhe është duke e afruar me Rusinë, ka kundërshtuar vënien e njohjes reciproke në tavolinë. Në fakt, delegacioni serb ka thënë se do të jetë pjesë e negociatave për të diskutuar çështje ekonomike. Ndonëse nuk ka asgjë të keqe për rritje të ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik, konflikti politik kërkon zgjidhje politike”.

Sipas tij, marrëveshja finale “duhet të hapë rrugën për Kosovën dhe Serbinë që të jenë pjesë e strukturave veri-atlantike, duke përfshirë Bashkimin Evropian dhe NATO-n, duhet t’i garantojë Kosovës anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara dhe organizata tjera të rëndësishme ndërkombëtare, ashtu që të ecë përpara sikurse do të duhej secili shtet tjetër.

Përmes një deklarate, Engel ka përmendur edhe se personat që qëndrojnë mbrapa spastrimit etnik, dhunimeve dhe krimeve tjera të luftës, të kryera gjatë udhëheqësisë së Sllobodan Milloshevicit, duhet të përballen me drejtësinë.

Mes tjerash, Engel është shprehur optimist për delegacionin e Kosovës, duke thënë se kryeministri i këtij shteti, Avdullah Hoti ka prezantuar qëllime të qarta për negociata: marrëveshje reciproke, pa rrezikuar integritetin territorial të Kosovës.

“Kosova meriton një të ardhme normale, ku njerëzit mund të udhëtojnë lirshëm dhe të qëndrojnë afër demokracive botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara”.

Deklarata e kongesistit Engel ka ardhur pasi Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, ka thënë se diskutimet e 3 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, do të çojnë përpara paqen paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, O’Brien ka thënë se mezi pret të takojë të enjten kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksadar Vuçiq.

“Nga përkushtimi i të dy liderëve për dialog do të përfitojë Serbia dhe Kosova”, ka thënë mes tjerash ai. Paraprakisht ishte bërë e ditur se diskutimet mes këtyre dy shteteve do të zhvilloheshin më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Ky takim, midis Kosovës dhe Serbisë, është i dyti i tillë i thirrur nga Washingtoni. Takimi i planifikuar më 27 qershor është anuluar pak ditë para mbajtjes, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka qenë i ftuar në takimin e Washingtonit.

Një këshilltar i lartë i presidentit amerikan, gjatë një bisede me gazetarë të hënën në kushte anonimiteti tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret, kur bëhet fjalë për negociatat mes këtyre dy shteteve.

“Do të kemi një diskutim të enjten, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse palët janë të interesuara të bien dakord mbi zhvillimin ekonomik, Shtetet e Bashkuara e dinë se si ta bëjnë këtë dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë”, ka thënë ai.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret; ne nuk kemi asgjë për të kërkuar. E vetmja gjë që do të kërkojmë është që nëse ata duan ndihmë nga SHBA-ja, nëse duan zhvillim, atëherë ata kanë nevojë për përparim në fushën ekonomike. Ne nuk duam të humbasim paratë tona”, ka shtuar mes tjerash ai.

Zyrtari i lartë i administratës amerikane këmbënguli se temat e bisedës do të jenë të natyrës ekonomike, duke përmendur çështjen e hekurudhave, linjës ajrore dhe autostradave midis dyja vendeve.

“Ne jemi të përqendruar kryesisht në zbatimin e marrëveshjeve për të cilat kemi rënë dakord tashmë – për linjën ajrore, hekurudhën dhe autostradën. Këto marrëveshje do të na lejojnë të ndërtojmë zhvillimin ekonomik “, tha ai, duke shtuar se këto marrëveshje, të cilat nuk janë zbatuar ende, do të diskutohen këtë javë.

Bisedimet, sipas tij, do të mbahen të enjten dhe të premten

Zyrtari i administratës amerikane gjithashtu tha se tema e shkëmbimit të territoreve nuk do të diskutohet, sepse, sipas tij, këto nuk janë tema që lidhen me zhvillimin ekonomik.

“Shtetet e Bashkuara e lënë në dorën e palëve këto diskutime. Sërish e them, për ta bërë më të qartë, unë kurrë nuk kam qenë pjesë e këtyre diskutimeve. Diskutimet kanë qenë vetëm ekonomike, dhe kjo është ajo që po përqendrohemi, pra në normalizimin ekonomik”, tha ai.

Megjithatë, sipas tij, bisedimet do të zhvillohen për “çdo çështje” për të cilën palët bien dakord. /Rel

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat