MENU
klinika

Më shumë dërgesa ekspres

Karantina rriti shërbimin jo universal postar

10.09.2020 - 10:32

Kufizimi i lëvizjes në periudhën e karantinës, i cili përkoi me periudhën mars-maj, bëri që një pjesë e bizneseve të zgjidhnin shërbimin postar për të dërguar pranë klientit porositë e tyre.

Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare  (AKEP) për tremujorin e dytë, tregojnë rritje të dukshme të shërbimit jo universal postar në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në prill-qershor, dërgesat nëpërmjet shërbimit jo universal postar ishin mbi 817 mijë, me rritje 63.5% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Shërbimi jo universal postar përfshin dërgesat brenda vendit, por edhe jashtë tij, dhe cilësohet si i tillë pasi nuk ka kriter ofrimin e çmimeve të përballueshme për të gjithë, sikurse ndodh tek shërbimi universal postar.

Nga totali i dërgesave përmes shërbimit jo universal postar, pjesën më të madhe të tyre e zënë ofruesit e tjerë me mbi 495 mijë objekte të dërguara. Gjithsesi në këtë treg, edhe Posta Shqiptare ka rritur peshën e saj duke zënë 44% të tij nga 39% një vit më parë.

Ajo që bie në sy është edhe rritja e shërbimit ekspres që ka të bëjë me shpërndarjen derë më derë të objekteve postare në një afat të shkurtër. Ky shërbim u rrit me 24.5% në raport me tremujorin e dytë të vitit 2019.

“Shërbimi ekspres brenda vendit për Postën Shqiptare dhe ofruesit e tjerë së bashku është në vlerat 877,472 objekte postare ose 93%, dhe shërbimi postar ekspres ndërkombëtar në vlerën 65,786 objekte postare ose 7%.

Për sa i përket postës ndërkombëtare në shërbimin ekspres, sasia e objekteve hyrëse nga jashtë vendit dhe të shpërndara në Shqipëri paraqitet në vlerën 40,055 objekte postare, shifër kjo dukshëm më e madhe se sasia e objekteve postare të pranuara në Shqipëri dhe të dërguara jashtë vendit në vlerë 25,731 objekte” thuhet në raportin për shërbimet postare publikuar nga AKEP.

Pavarësisht rritjes së dy shërbimeve të mësipërme, ajo që bie në sy është rënia e shërbimit universal postar. Objektet postare në këtë shërbim ishin mbi 4.8 milionë, me një rënie 18.5% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo lidhet sërish me pjesën e karantinës ku një pjesë e dërgesave që kryhen përmes këtij shërbimi bëhet nga administrata publike drejt qytetarëve për çështje të lidhura me procedura të caktuara për legalizimin e dokumenteve të ndryshëm.

Burimi: AKEP

Burimi: AKEP

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page