MENU
klinika

Gruaja që ndezi konfliktin mes dy vendeve!

“‘Krahu i gjatë’ i Erdoganit arrin…”/ Austria paralajmëron Turqinë: Nuk tolerojmë!

06.09.2020 - 15:37

Shërbimi sekret turk përpiqet të rekrutojë në gjithë Evropën informatorë nga qarqet e imigrantëve që të mbikëqyrin kundërshtarët e Presidentit turk Rexhep Erdogan.

“Nuk ka vend për spiunazh turk në Austri”, me këto fjalë e hapi ministri i Brendshëm austriak Karl Nehammer një konferencë të posaçme shtypi gjatë së cilës njoftoi se shërbimi austriak kundër spiunazhit ka zbuluar në Vjenë të paktën një spiun të shërbimit sekret turk për botën e jashtme MIT.

“Sipas hetimeve personi i akuzuar pranoi se ishte rekrutuar nga shërbimi sekret turk për të spiunuar emigrantë me origjinë turke në Austri dhe për të raportuar për ta tek autoritetet turke “.

Sipas mediave austriake fjala është për një grua me origjinë turke.

Ky rast nuk është ​​një rast i izoluar dhe tregon se kemi të bëjmë me një sistem. Po ashtu ai është një dëshmi tjetër për taktikat, detyrat dhe qëllimet e shërbimit sekret turk për botën e jashtme.

)Demonstrata në lagjen Favoriten të Vjenës në fundit të qershorit 2020 ku pati përplasje të dhunshme midis nacionalistëve turq dhe demonstruesve kurdë
Rasti i tanishëm i spiunazhit ra në sy javën e fundit të qershorit 2020. Në lagjen Favoriten të Vjenës pati përplasje të dhunshme midis nacionalistëve turq dhe demonstruesve kurdë. Ministri i Brendshëm Nehammer tha se gjatë këtyre demonstratave kishin rënë në sy persona që xhironin me video demonstruesit dhe pas demonstratës, 35 nënshtetas austriakë me origjinë turke ishin arrestuar kur po hynin në Turqi. Atyre u treguan fotografi të bëra gjatë demonstratës në lagjen Favoriten në Vjenë dhe i akuzuan për vepra të ndryshme penale.

Pas demonstratës Kancelari austriak Sebastian Kurz dhe ministri i Brendshëm Nehammer deklaruan se veprimet e dhunshme ishin nxitur “nga jashtë”. “Ne nuk do të lejojmë që konfliktet nga Turqia të transferohen në Austri dhe të shkaktojnë dhunë në rrugët tona,” tha Kancelari Kurz.

Ankaraja reagoi po me akuza ndaj deklaratave energjike të qeverisë austriake: Austria nuk po vepron kundër “terroristëve” – pra kundër Partisë Punëtore Kurde PKK, e cila në Turqi është e ndaluar.

Spiunimi dhe rrëmbimi i kundërshtarëve politikë: MIT në Evropë

Eksperti austriak për shërbimet sekrete Dr. Thomas Riegler thotë se veprimet e shërbimeve sekrete në Vjenë duket se po dalin nga kontrolli. Pas një sulmi kibernetik ndaj Ministrisë së Jashtme austriake në shkurt të vitit 2020 dhe vrasjes së blogerit çeçen Mamichan Umarov në korrik 2020, qeveria gjendet nën presion për të marrë masa. Sipas ekspertit shërbimi sekret turk është veçanërisht aktiv.

Veprimet e shërbimit sekret turk MIT (Millî İstihbarat Teşkilâtı) në Austri nuk janë një rast i izoluar. Në të gjithë Evropën MIT përpiqet të rekrutojë informatorë nga qarqet e imigrantëve që të mbikëqyrin kundërshtarët e Presidentit turk Rexhep Erdogan dhe t’u bëjnë atyre presion. MIT është veçanërisht e pranishme atje ku ka një përqendrim të lartë të turqve jashtë vendit dhe qyetarëve me origjinë turke.

Pas përpjekjes për grusht shteti në Turqi në vitin 2016, për të cilën akuzohet predikuesi Fethullah Gylen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, MIT i ka intensifikuar veprimet e tij në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës. Kështu në verën e vitit 2016 qeveria turke publikoi një adresë ku supozohej se jetonte Adil Öksüz në Berlin. Öksuz thuhet se ka qenë një figurë qendrore e grushtit të shtetit dhe ka kërkuar azil në Gjermani. Adresa me sa duket është gjetur prej informatorëve të shërbimi sekret turk në Berlin.

Rasti më spektakolar ndodhi në mars 2018 kur agjentët e MIT në Kosovë nxorën gjashtë mbështetës të dyshuar të Gylenit nga makinat e tyre dhe i çuan ata në Turqi. Sipas organizatave të të drejtave të njeriut mendohet se midis vitit 2016 dhe 2020 MIT ka rrëmbyer 31 vetë. Aksionet e MIT shtrihen nga Zvicra, në Kosovë, Ukrainë, Republika e Moldavisë deri në Kazakistan, Azerbajxhan, Malajzi, Pakistan, Gabun dhe Mianmar.

Austria nuk dëshiron të përfshihet në këtë listë. Ministri i Brendshëm Nehammer dhe Ministrja e Integrimit Susanne Raab e bënë të qartë këtë në konferencën e posaçme për shtyp të martën (01.09): “Austria është vënë në shënjestër të spiunazhit turk. Shërbimi sekret turk ushtron ndikim mbi individë, shoqata dhe xhami. Krahu i gjatë i Erdoganit arrin deri në lagjen Favoriten në Vjenë dhe është helm për integrimin. Ne nuk e tolerojmë këtë ndikim “. Se ç’masa mbrojtëse synon të marrë Austria mbetet e hapur./ DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN