Nëse ka një moment politik që zbuloi gjithçka fshihej pas fasadës së unitetit opozitar, ai lidhet me formulën e propozuar sëfundi nga PS, për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë. Me anë të këtij akti, duke implementuar në Kodin Elektoral ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut, mazhoranca ekspozoi 100% në dritë të diellit problemet e brendshme të opozitës.
Problemi i parë i madh doli se ishin pozicionet diametralisht të kundërta të PD dhe LSI në raport me partitë e tjera të vogla aleate. Ndaj edhe Lulzim Basha është në një pozitë publike krejt tjetër nga ajo e Ilir Metës sot. Nëse Kryedemokrati po e kalon në heshtje këtë periudhë, do të thotë se ai është dakord në thelb me formulën e propozuar nga socialistët, ndaj edhe nuk e ka kundërshtuar atë publikisht.
Krejt e kundërta, është qasja e Presidentit të Republikës që duket se këtë radhë, flet nga pozitat e ish Kryetarit të LSI. Ilir Meta jo vetëm nuk është dakord, por nuk lë ditë, rast, postim dhe aktivitet publik të zhvilluar, pa e ekspozuar qëndrimin e tij totalisht të kundërt me Lulzim Bashën për këtë çështje. Ky kontrast kaq i thellë ka rënë në sy të të gjithë opinionit publik, i cili duke e kuptuar se kemi të bëjmë thjeshtë me qëndrime për interesa personale pushteti, po e kalon me indiferentizëm këtë qasje.
Ndryshimet e propozuara nga ana e përfaqësuesit të mazhorancës në tryezën e Këshillit Politik, nuk janë një shpikje “alla shqiptarçe”, por një model që aplikohet sot në vende me standarde të larta demokratike si Austria, Suedia, Kroacia, Belgjika dhe Republika Çeke. Listat në këtë rast do të jenë 100% të hapuara, duke i ofruar mundësinë qytetarëve që krahas siglës së partive apo koalicioneve, të zgjedhin edhe njërin prej kandidatëve për deputetë që ata dëshirojnë.
Pas përzgjedhjes nga forumet drejtuese, Kryetarët e partive ia dorëzojnë renditjen e emrave në listë, KQZ për ta reflektuar në fletën e votimit. Kushdo nga kandidatët që do marë më shumë vota se mesatarja e nevojshme në qarkun ku konkuron, pavarësisht se mund të jetë renditur në pjesën e poshtme të listave, automatikisht kalon në pozicionin fitues dhe mer mandatin e merituar të deputetit të dhënë nga qytetarët. Kjo formulë garanton në çdo rrethanë, fitoren e kandidatëve, që kanë më shumë mbështetje popullore.
Pikërisht këtë me sa duket e do PD dhe Kryetari i saj Lulzim Basha dhe e refuzon Ilir Meta në emër të LSI. Përveçse garanton hapjen 100% të listës së kandidatëve, kjo formulë i zgjidh kryedemokratit stresin e madh që ka me kryetarët e partive të vogla aleate të “Opozitës së Bashkuar”. Vetëm kjo formulë i mundëson Dashamir Shehit, Nard Ndokës, Fatmir Mediut, Vangjel Dules, Shpëtim Idrizit dhe Agron Dukës futjen në Parlament me anë të votave të tyre, ose në të kundërtën daljen përfundimisht nga politika.
Ilir Meta me sa duket ka pritur që të aplikohej një formulë tjetër, e cila do të krijonte automatikisht një përplasje të fortë mes PD dhe aleatëve, duke i bërë ata që të largoheshin për tu bërë pjesë e një koalicioni tjetër paraelektoral, të krijuar nga LSI. Kjo do të forconte polin e partisë së Ilir Metës, duke i dhënë mundësinë që edhe përmes votave të partive të tjera të vogla, të fitonte më shumë mandate në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Duke qenë se kjo gjë nuk ndodhi, atëherë kjo ka sjellë shqetësimin “in extremis” të Ilir Metës dhe nga ana tjetër, qetësimin e Lulzim Bashës. Për shkak se PD është një parti më e madhe, kjo formulë e hapjes së listave të kandidatëve për deputetë, i detyron aleatët e vegjël të qëndrojnë me të sepse ndihen më të sigurtë duke braktisur LSI. Partia e Metës do jetë e detyruar të krijojë një koalicion me parti të tjera akoma edhe më të vogla, që më shumë se do ti japin, presin që ti marin ndonjë votë prej saj.
Është për këtë arsye, se përse e sheh Ilir Metën këto ditë që të ngre zërin, të kërcënojë e shantazojë dhe Lulzim Bashën bashkë me të gjithë aleatët e tij të tjerë, që të jenë më të qetë dhe më të urtë se kurrë më parë. Ishte formula e re e hapjes së listave, ajo që u bë sebepi i radhës, për të na hapur 100% edhe derën e problemeve opozitare!