MENU
klinika

Grenell i zhgënjer nga mediat amerikane

“Marrëveshja, produkt i diplomacisë ndryshe të Trumpit”

06.09.2020 - 08:15

Ky reagim nga Grenell vjen si rezultat i zhgënjimit të tij me mediat e Amerikës, ku sipas tij, ato nuk raportuan për marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë.

Më tej, Grenell ka thënë se është detyruar të bëjë një shkrim për të treguar për arritjen e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, mes Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në prezencë të presidentit amerikan, Donald Trump.

“Nuk mund të gjej një agjenci të vetme amerikane të lajmeve që të ketë raportuar për përmbajtjen e marrëveshjes historike Serbi-Kosovë. Kështu që lexoni shkrimin tim mbi atë që këto dy vende kanë rënë dakord”, ka shkruar Grenell në Tëitter.

Andaj, Grenell shkroi për “The Hill”, për marrëveshjen Kosovë-Serbi, si produkt i diplomacisë ndryshe të Trumpit.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Richard Grenell:

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bënë një hap të jashtëzakonshëm drejt një zgjidhjeje afatgjate të premten në mëngjes, lidhur me konfliktin e tyre historik. Në Shtëpinë e Bardhë, nën kujdesin e Presidentit Trump, Presidenti Vuçiq dhe Kryeministri Hoti, nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar për të arritur normalizimin ekonomik midis popujve dhe qeverive të Serbisë dhe Kosovës.

Që nga viti 2017, pozicioni i SHBA’së mbi konfliktin Serbi-Kosovë ka qenë që hapat drejt normalizimit ekonomik do ta zbehin fuqinë dhe rëndësinë e çështjeve politike të mosmarrëveshjeve. Palët kanë rënë dakord të ndërtojnë një autostradë dhe lidhje hekurudhore midis kryeqyteteve të tyre përkatëse, Beogradit dhe Prishtinës. Ata janë zotuar për të studiuar opsionet e fizibilitetit në mënyrë që të lidhet infrastruktura hekurudhore me një port në detin Adriatik. Të dy palët do të punojnë me Korporatën Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar të SHBA’së dhe Bankën Eksport-Import për të mbështetur këto projekte dhe për të siguruar financime për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Të gjitha këto marrëveshje do të mundësojnë një qarkullim më të lirë dhe më efikas të njerëzve dhe mallrave përtej kufirit midis Serbisë dhe Kosovës.

Sa i përket vetë kufirit, Serbia dhe Kosova kanë rënë dakord të hapin dhe funksionalizojnë Pikën e Përbashkët Kufitare në Merdare, për të njohur diplomat dhe certifikatat profesionale të njëri-tjetrit dhe për t’u futur në “zonën mini-Shengen”, të njohur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetorin e 2019’tës. Së shpejti do të jetë më lehtë se kurrë që serbët dhe kosovarët të jetojnë, punojnë, tregtojnë dhe studiojnë në lagjet, kompanitë dhe universitetet e njëri-tjetrit.

Ndoshta më e rëndësishmja për popujt e këtyre shteteve, për palët e përfshira në negociata dhe për historinë dhe të ardhmen e rajonit – është marrëveshja e re për të shpejtuar përpjekjet për të gjetur dhe identifikuar mbetjet e personave të zhdukur nga lufta që përfundoi vetëm dy dekada më parë. Të dy palët janë zotuar të identifikojnë dhe zbatojnë zgjidhje afatgjate, të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit, dhe secila është zotuar të identifikojë një pikë kontakti për të udhëhequr këto përpjekje brenda ministrive të tyre përkatëse të qeverive, për t’u koordinuar midis kryeqyteteve dhe për të siguruar një azhurnim vjetor, mbi numrin e çështjeve të zgjidhura dhe atyre që do të zgjidhen. Marrëveshja gjithashtu zbaton një moratorium një vjeçar në kërkimin e Kosovës për anëtarësim të ri në organizatat ndërkombëtare dhe një moratorium një vjeçar për fushatën e njohjes së Serbisë kundër Kosovës – dy nga plagët më të mëdha të hapura nga konflikti, tani janë në rrugën drejt zgjidhjes.

Marrëveshja e së premtes pasqyron vizionin e presidentit Trump, të cilin e kishte prej kohësh për Kosovën dhe Serbinë, për t’u përqëndruar në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin industrial si parakushte për zgjidhjen e përhershme të mosmarrëveshjeve politike. Besimi i tij që nga fillimi ka qenë se fillimisht duhet të bëhet krijimi i mundësive dhe të ardhmes për të rinjtë, sesa në fokusimi në pikët politike, simbolikës ose ndreqjes së gabimeve historike. Shtetet e Bashkuara do të kalojnë vitin e ardhshëm në zbatimin e këtyre marrëveshjeve të reja dhe njerëzit e qeverisë së Kosovës dhe Serbisë kanë besimin e plotë të Administratës së SHBA’së për t’i çuar ato përpara.

Si një demonstrim i mirëbesimit nga të dy palët ndaj SH.B.A.-së, Serbia dhe Kosova, gjithashtu u zotuan të Premten për të bashkëpunuar me disa prioritete kryesore të politikës së SHBA’së në rajon. Të dy palët u zotuan të mbrojnë dhe promovojnë lirinë e fesë, duke përfshirë komunikimin e rinovuar ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe kthimin e pasurisë hebreje të epokës së Holokaustit. Të dy ranë dakord të përcaktojnë Hezbollahun në tërësinë e saj si një organizatë terroriste dhe të zbatojnë plotësisht masat për të kufizuar operacionet dhe aktivitetet financiare të Hezbollahut në juridiksionet e tyre. Të dy ranë dakord të punojnë me qeverinë e SHBA’së për të dekriminalizuar homoseksualitetin në 69 vendet ku aktualisht është i paligjshëm. Dhe, ndoshta më e rëndësishmja nga të gjitha, Serbia është zotuar të zhvendosë ambasadën e saj në Izrael nga Tel Aviv në Jeruzalem, ndërsa Kosova ka rënë dakord për njohjen reciproke me Izraelin.

Në vijim të marrëveshjes së paqes së 13 gushtit midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, marrëveshja e së premtes midis Kosovës dhe Serbisë, ndërmerr hapa drejt normalizimit ekonomik dhe një bashkëjetesë eventuale paqësore, gjithashtu tregon arritjet e Presidentit Trump dhe angazhimin e shëndoshë të administratës së tij në të gjithë botën. Kur qeveria amerikane i jep përparësi diplomacisë para forcës, mirëkuptimit para kërcënimit, bota duhet të përfitojë.

Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat