MENU
klinika

"Kur ia tregova Pompeos këtë hartë…"

Nën kritika se u tërhoq nga presioni i BE, paralajmëron ministri i jashtëm turk

14.09.2020 - 14:13

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu deklaroi se vendi i tij nuk është tërhequr nga pretendimet në Egjeun Lindor kundrejt Greqisë.

Në një konferencë për shtyp, Çavusoglu deklaroi se tërheqja në portin e Antalias e anijes “Oruç Reis” u bë për shkak se ajo është duke iu nënshtruar një kontrolli teknik.

“Kur anija është në port nuk ka nevojë të shpallësh një NAVTEX të ri”, iu përgjigj ai kritikëve që e konsideruan këtë zhvillim si një tërheqje të Turqisë përballë presionit grek dhe atij të BE-së, raportojnë mediat turke.

Çavusoglu paraqiti gjithashtu një hartë të ujërave territoriale greke dhe turke në Egjeun Lindor duke theksuar se këtë ia paraqiti edhe Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo.

“Kur ia paraqita këtë hartë Pompeos, ai më tha se e dinte situatën. Atëherë presim që të sillen sipas kësaj situate”, tha Çavusoglu duke theksuar se nëse Greqia nuk heq dorë nga kjo hartë, nuk ka se si të ulet tensioni në rajon.

Nga ana tjeter, përmes një postimi në Twitter, këshilltar i Presidentit Erdogan, Ibrahim Kalin theksoi se Greqia dhe BE nuk duhe të humbin shansin e negociatave me Turqinë.

Sipas mediave turke, Kalin deklaroi se Turqia është në pozicionin që të kushtëzojë palët përmes forcës dhe diplomacisë dhe Greqia apo BE duhet ta dinë këtë.

“Turqia me Presidentin Erdogan është në pozicionin që të mbrojë interesat e saj si me forcë ashtu edhe me diplomaci. As BE dhe as Greqia nuk duhet të humbasin shansin e negociatave”, shkruan Kalin në Twitter.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN