Ministria e Arsimit së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë u ka bërë thirrje të gjithë mësuesve dhe nxënësve që të tregohen të kujdesshëm në masat e marra për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.
Ata paralajmërojnë se nëse situata do të përkeqësohet, atëherë do të merret vendimi për mbylljen e shkollave.
“Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK, bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, nëse situata pandemike përkeqësohet, mund të marrin vendim për mbylljen e shkollave.
Prandaj, MASh kërkon nga task forcat e shkollave dhe të DKA-ve që, përveçse të kujdesen për zbatimin e të gjitha masave, të vlerësojnë edhe situatën dhe ato shkolla që kanë vështirësi në organizim, të respektojnë vendimin e Ministrisë së Arsimit për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021 në kushte pandemie, dhe të kalojnë në mësim online, sipas Protokolit të reagimit ndaj pandemisë COVID-19 në shkolla dhe Udhëzuesit të MASh”, thuhet në njoftim.