Drejtori Rajonal i OBSH-së për Europën Hans Henri Kluge është shprehur se Europa po shfaq shenja lodhje nga pandemia kurse të rinjtë po rriten gjithnjë e më të zhgënjyer prej masave të distancimit shoqëror, mbajtjes së maskave dhe bllokimet për të luftuar përhapjen e virusit.
Ai gjithashtu theksoi se lufta kundër Covid është shumë larg nga përfundimi dhe se mosmarrëveshjet shkencore rreth përdorimit të maska dhe vaksinimit – nuk duhet të trajtohen si “një lloj futbolli politik”, megjithse pranoi se “nuk është e lehtë që të gjithë të jenë në një mendje gjatë gjithë kohës.”
Dhe ndërsa vetëm dy ditë më parë Organizata lëshoi alarmin teksa e konsideroi gjendjen në Europë shumë shqetësuese, me shifra në rritje të rasteve të infeksionit, të cilat janë të krahasueshme me ato të muajit mars, nga ana tjetër Maria Van Kerkhove, eksperte e OBSH-së tha se mosha mesatare e personave të infektuar me Covid ka pësuar rënie dhe sipas saj janë duke u rritur rastet e shtrimit në spital të atyre me moshë 15 deri në 49 vjeç.
Ajo u shpreh e shqetësuar edhe me mundësinë që i njëjti person, mund të infektohet njëkohësisht me grip dhe me Covid-19, gjë e cila do ta ndërlikonte situatën në spitale.