MENU
klinika

Risitë e investimit

OST investim 1 milionë USD në Nënstacionin e Ibës

09.09.2020 - 10:01

Në nënstacionin elektrik të Ibës ka përfunduar investimi me vlerë afro 1 milion dollarë, i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, duke rritur në këtë mënyrë sigurinë energjetike, si dhe duke modernizuar sistemin e menaxhimit të këtij nënstacioni, përmes instalimit të pajisjeve që garantojnë komandimin në distancë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga administratori i OST, Skerdi Drenova inspektuan investimin e bërë, nga i cili përfitojnë cilësi më të mirë të furnizimit me energji elektrike afro 5 mijë abonentë.

Administratori i OST bëri të ditur se nënstacioni i ndërtuar në vitet ’70-të, i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë, i cili i jep tashmë këtij nënstacioni një rol kyç. “Nga një nënstacion fundor tashmë bëhet një nënstacion, që është një nyje transformuese, e cila do furnizojë zonat përreth, por njëkohësisht do të lehtësojë çdo akomodim të mundshëm, që mund të ndodhë gjatë punëve operative. Është ndryshuar totalisht gjithçka nga ana 110-she. I gjithë investimi është bërë që këtu të kemi sigurinë e transmetimit dhe kjo siguri transmetimi do ndihet shumë në të gjithë konsumatorët”, u shpreh administratori Drenova.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se ndërhyrja e bërë në nënstacionin e Ibës, jo vetëm mbulon nevojat aktuale të zonës, por është parashikuar që t’i përgjigjet edhe zhvillimeve të pritshme në zonën lindore të Tiranës në 10 vitet e ardhshme.

“Mos harrojmë dy elementë kryesorë, që këto investime kanë. E para dhe më e rëndësishmja është se kemi rritur sigurinë energjetike, çka është edhe synimi, duke nisur nga prodhuesi, tek transmetuesi dhe deri tek shpërndarja. Nga ana tjetër duhet të themi, që kemi automatizuar sistemet. Automatizimi sistemeve na sjell sot para një pozite shumë të fortë nga ajo e së shkuarës, pasi ju sot arrini dhe manovroni gjithçka në distancë. Edhe tek ky nënstacion kemi instaluar sistemin SCADA”, nënvizoi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se investimet në sektorin energjetik do të vijojë me qëllim jo vetëm modernizimin e sistemit, por duke pasur në fokus uljen e nivelit të humbjeve të energjisë në rrjet. “Kemi pasur një fokus tek energjia. Po bëhen çdo ditë dhe më shumë investime të rëndësishme, të cilat do të ndikojnë minimalisht edhe për një dekade, pasi janë të mirë studiuara dhe është shumë e rëndësishme për ne, që të ofrojnë edhe më shumë mundësi për akomodimin e kapaciteteve, të cilat do jenë të nevojshme në të ardhmen. Mos harrojmë faktin, që synimi jonë kryesor, i cili padyshim i takon shpërndarjes, por mbështetet edhe nga ju fuqishëm, është ulja e humbjeve në sisteme”, u shpreh ministrja Belinda Balluku.

Rritja e cilësisë së furnizimit dhe skemës së linjave të transmetimit në nënstacionin e Ibës sigurohet si rezultat i zëvendësimit të pajisjeve të amortizuara dhe të dala jashtë funksioni, me pajisje të reja dhe të kohës. Gjithashtu rikonstruksion i plotë i rrugëve hyrëse dhe të brendshme të nënstacionit, krijon kushte optimale për hyrjen e mjeteve në raste ndërrimi ose riparimi të pajisjeve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Forumin e Energjisë për Europën Juglindore

Energjia dhe gazi, Balluku: Investime të përbashkëta